AKTUALITET, 18 July 2026, 18:20

Shqipëri-Kosovë bashkojnë forcat kundër zjarreve, projekt për mbrojtjen e brezit të gjelbër në kufirin mes dy vendeve

Shërbimet zjarrfikëse të Kukësit dhe Prizrenit po punojnë për zbatimin e një projekti të përbashkët ndërkufitar, i cili synon të parandalojë përhapjen e zjarreve në brezin e gjelbër përgjatë kufirit Kosovë–Shqipëri.

Komandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prizren, Flamur Hoti, bën të ditur se projekti parashikon vënien në funksion të 5.4 kilometrave të brezit ndarës të gjelbër, ose ish-klonit kufitar. Në kuadër të tij do të pastrohet bimësia e thatë në një gjerësi prej rreth 6 metrash, duke krijuar një brez mbrojtës që do të pengojë përhapjen e flakëve nga njëri shtet në tjetrin.

Hoti thekson se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes shërbimeve zjarrfikëse të Prizrenit dhe Kukësit, të cilat, përveç takimeve koordinuese, kanë bashkëpunuar edhe në ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve në zonën e gjelbër kufitare. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar zjarrfikësit e Prizrenit morën pjesë në shuarjen e tre vatrave të zjarrit në brezin kufitar, ndërsa deri më tani këtë vit nuk është regjistruar asnjë rast i tillë.

Ky bashkëpunim mbështetet edhe nga marrëveshjet mes Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, të cilat prej vitesh bashkërendojnë veprimet në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes nga zjarret.