AKTUALITET, 18 July 2026, 20:14

Nufi shuan debatet për reformën territoriale: Nuk parashikohet bashkimi apo shkrirja e Bashkisë Mirditë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun Lezhë sqaroi sot se raporti i ekspertëve për reformën administrativo-territoriale në asnjë moment nuk propozon shkrirjen apo bashkimin e bashkisë Mirditë me ndonjë bashki tjetër.

“Si një njeri me rrënjë të forta dhe krenare në Mirditë, e cila ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një nga krahinat më përfaqësuese të identitetit kombëtar shqiptar, dy fjalë shkurt mbi debatin rreth raportit të ekspertëve për reformën administrative-territoriale. E para në asnjë moment, ky raport nuk propozon shkrirjen apo bashkimin e Bashkisë Mirditë me asnjë bashki tjetër”, u shpreh Nufi.

Ndaj, sipas tij, nuk ka asnjë arsye që mirditorët të shqetësohen nga interpretime që nuk burojnë nga përmbajtja e dokumentit.

“Për Mirditën, çështja nuk është të ndalemi nëpër debate mbi skenarë që raporti nuk i parashtron. Ajo që ka rëndësi është të përqendrojmë energjitë te zhvillimi i ekonomisë lokale, përmirësimi i shërbimeve publike dhe krijimi i më shumë mundësive për të ardhmen e këtij komuniteti me vlera të jashtëzakonshme njerëzore, historike dhe kulturore”, shtoi ai.

Askush, sipas tij, “nuk fiton duke mohuar realitetin! Mirdita, ashtu si shumë zona të tjera të vendit, përballet me sfida, ekonomike dhe zhvillimore, të cilat njihen prej vitesh”.

“Por pikërisht për këtë arsye na duhet më shumë përgjegjësi. Na duhen më shumë fokus dhe energji se si ta bëjmë atë më të fortë ekonomikisht, më tërheqëse për të rinjtë, me më shumë investime, me shërbime publike më cilësore dhe me më shumë mundësi zhvillimi”, shtoi ai.