AKTUALITET, 30 Prill 2019, 21:35

A mund të shkohet drejt një dekreti për shpërndarjen e Parlamentit? Ja si përgjigjet Meta

A mund të shkohet drejt një dekreti për shpërndarjen e

Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste për “Ora News” ka folur në lidhje me krizën politike në vend.

Meta është shprehur gjithashtu se ka pasur takime të cilat nuk janë bërë publike në media, ku në fokus ka qenë gjeta e një zgjidhje të krizës politike.

I pyetur nëse është takuar me kryeministrin Edi Rama, presidenti nuk dha një përgjigje  përfundimtare duke u shprehur se do të takohet më këdo që kontribuon në të mirën e vendit.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Tryeza e sotme ishte në kuadër të përpjekjeve që po bën Presidenti i Republikës për të…

Meta: Nuk është tryezë.

Pyetje:  … për të kthyer normalitetin?

Meta: …nuk ishte tryezë. Ky ishte një takim. Unë kam pasur edhe takime të tjera, që nuk i kam mediatizuar…

Pyetje: Me kryeministrin, keni biseduar?

Meta: Më falni! Nuk shikoj arsye për t’i mediatizuar, sepse nuk dëshiroj pritshmëri të mëdha nga angazhimi i Presidentit, për shkak edhe të mungesës së instrumenteve kushtetues të Presidentit për të parandaluar apo të dekurajuar një situatë të tillë, jo vetëm përmes mesazheve apo veprimeve të tij. Unë padyshim që do të takohem me të gjithë, jo vetëm me kryeministrin, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe me shumë njerëz të tjerë të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi për vendin, sepse kjo nuk mund të kthehet në një lojë “të fortësh” dhe më pas askush të mos mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të vijnë.

Shpresoj që të gjithë të reflektojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse e gjithë kjo krizë konsumon jo vetëm energji për vendin, por nuk është e mirë as për atë vlerësim që Shqipëria ka pasur apo për ato pritshmëri që janë për rolin që duhet të luajë për stabilitetin në rajonin tonë.

 Pyetje: Zoti President, pa e paragjykuar nëse do të sjellë rezultat apo jo kjo nismë e juaja për tryezën me partitë politike, a mund të ndërmarrë kreu i shtetit ndonjë iniciativë tjetër? Le të themi një dekret për ta shpërndarë parlamentin në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje? Deri ku mund të shkojë iniciativa juaj për ta zgjidhur këtë krizë?

Meta: Unë dua t’ju siguroj ju, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se Presidenti është përpjekur të bëjë gjithçka për të parandaluar një situatë të tillë. Sidomos situatën në të cilën ndodhet vendi pa Gjykatë Kushtetuese.