TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pak më parë nënkryetari i grupit parlamentar të CDU-së Johann Wadephul, u shpreh haur se negociatat për Shqipërinë nuk do të hapen, pasi ka ende shumë për t’u bërë, duke përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Edi Rama. (Lexo këtu)
Por kjo nuk është hera e parë që Wadephul paralajmëron se nuk do të hapen negociatat për Shqipërinë.
Ai kishte paralajmëruar këtë gjë edhe para 10 muajsh, në një intervistë për gazetaren Desada Metaj, ku shprehej se nuk janë plotësuar kushtet e BE që do të çonin në hapjen e negociatave.
“Kushti për hapjen e negociatave për anëtarësim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin plotësisht kriteret e duhura”. Por kjo nuk ka ndodhur as në reformën në drejtësi, as në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht korrupsion të rangut të lartë – as në luftën kundër krimit të organizuar, pra në asnjë nga kriteret kryesore.”, shprehej asokohe Wadephul.
Pjesë nga intervista:
Desada Metaj: Në Shqipëri është perceptuar skepticizmi i Bundestagut për hapjen e negociatave. Me çfarë është lidhur kryesisht ky qendrim e parlamentareve gjermanë?
Johann David Wadephul: Ne duam që Shqipëria të mund të fillojë sa më parë negociatat e anëtarësimit. Në marrëveshjen e koalicionit mes CDU / CSU dhe SPD është shumë e qartë: “Kushti për hapjen e negociatave për anëtarësim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin plotësisht kriteret e duhura”. Por kjo nuk ka ndodhur as në reformën në drejtësi, as në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht korrupsion të rangut të lartë – as në luftën kundër krimit të organizuar, pra në asnjë nga kriteret kryesore.
Atëherë, çfarë tjetër duhet bërë përpara se negociatat e anëtarësimit të mund të fillojnë me hapjen e kapitujve të parë negociues? Si pjesë e reformës në drejtësi, vetëm pak nga rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë u janë nënshtruar të ashtuquajturit vetting.
Së paku, duhet të përfundojë plotësisht verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave të instancave të larta dhe prokurorive, si dhe të organeve të apelit. Gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilëve u janë vërtetuar vepra të dënueshme në procesin e verifikimit (vettingut) duhet të jenë subjekt i procedimeve penale. Duhet të fillojë puna dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatave të instancave të larta dhe SPAK -ut. Kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në vitin 2017. Në të njëjtën kohë, megjithatë, është rritur trafikimi i drogës, dhe kundra kësaj duhet luftuar në mënyrë të qëndrueshme dhe vazhdueshme.
Zyrtarë të lartë në ministritë dhe drejtoritë e administratës publike u rekrutuan direkt pa konkurs, në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Kjo është thyerje e ligjit dhe duhet të korrigjohet. Përveç kësaj, që nga viti 2013, OSBE dhe BE kanë kërkuar reformë zgjedhore, por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë – kjo është një shpërfillje e madhe ndaj OSBE dhe BE! Parlamenti shqiptar duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me planin e saj të punës deri në fund të vitit 2018. Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave.
Desada Metaj: Negociatat e Shqiperisë me BE janë një çështje tepër e rëndesishme për shqiptaret. Mendoni se qeveria e Edi Ramës ka punuar mjaftueshëm për të plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli?
Johann David Wadephul: Shumë vendime janë marrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por në realitet, shumë pak është bërë: korrupsioni mbetet ende një problem në të gjithë sektorin e drejtësisë. Ligjet ekzistuese dhe procedurat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar janë aplikuar shumë më pak në mënyrë strikte ndaj zyrtarëve të lartë dhe politikanëve sesa ndaj zyrtarëve të mesëm dhe të ulët dhe ndaj qytetarëve të zakonshëm. Kështu që “peshqit e vegjël” u kapën dhe u dënuan, “peshqit e mëdhenj” mundën të depertonin jashtë rrjetës. Këtu kemi të bëjmë me shpërfilljen e një kushti themelor të sundimit të ligjit, i cili është trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve para ligjit. Për aq kohë sa kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të parimeve themelore të sundimit të ligjit të BE-së, kapitujt negociues nuk mund të hapen.