TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Nuk ka patur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB”.
Presidenca ka publikuar një sqarim pas lajmit të botuar sot në portalin “lapsi.al”, me titull “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump”, ku nder te tjera thuhej se: “Lapsi.al ka parë me detaje disa mesazhe të shkëmbyera përmes postës elektronike mes Sokol Gjokës, drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme me Valter Ibrahimin, Këshilltarin Diplomatik të Presidentit. Emailet janë dëshmi e komunikimit të pandërprerë mes Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe Presidencës. Komunikimi nisi para mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, aty ku u inicua rezoluta kundër Trump dhe ku Shqipëria u përfaqësua nga ambasadori i saj. Në email, Sokol Gjoka i Ministrisë së Jashtme informon Këshilltarin Diplomatik të Presidentit, Valter Ibrahimin për pjesëmarrjen e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Madje Presidencës i dërgohet edhe fjalimi i ambasadorit tonë në OBI, përveç informacioneve të tjera për rezolutën. Lapsi.al dalloi në emaile edhe lutjen e Sokol Gjokës, për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia në orën 17:45 të pasdites së datës 11 Dhjetor nga këshilltari i Ilir Metës ka qenë lakonike. “Sa te kem nje instruksion te njoftoj menjehere”.
Sqarimi i Presidencës:
Sot, rreth orës 12:00, portali “lapsi.al”, ka publikuar një artikull me titull “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump”.
Duke patur të qartë prapavijën qëllimkeqe dhe dizinformuese të këtij lajmi, jo të rastësishëm, Zyra e Shtypit e Presidentit sqaron edhe njëherë se:
Nuk ka patur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB.
Vetëm disa minuta para votimit, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, z.Arben Cici i ka telefonuar me inisiativën e tij për shkak të sensibilitetit të çështjes, Drejtorit të Përgjithshëm Politik në MEPJ, z.Ferit Hoxha për t’u njohur me vendimin për mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB, nga i cili ka marrë përgjigje që “Nuk ka ende një vendim por po vazhdojmë konsultimet”, por jo me kabinetin e Presidentit.
Pak minuta më vonë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z, Ilir Meta është njohur me qëndrimin e Shqipërisë në OKB vetëm përmes mediave online, ashtu si gjithë qytetarët e vendit.
Për informacion më të saktë njoftojmë se Drejtori i Kabinetit në Presidencë, z. Arben Cici ka marrë një njoftim me sms nga Drejtori i Përgjithshëm Politik në MEPJ, z. Ferit Hoxha, vetëm në orën 18:24, rreth dy orë e gjysëm pas votimit, me një “Pro” rezolutës”.
Nuk ekziston asnjë komunikim tjetër i mëparshëm midis Kabinetit të Presidentit me MEPJ dhe shërbimin diplomatik.
U detyruam të bëjmë këtë sqarim të detyruar, për shkak të rëndësisë të vecantë të kësaj cështjeje dhe transparencës ndaj opinionit public, këtij keqinformimi tërësisht të qëllimtë, jo profesional dhe manipulues për opionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë.