AKTUALITET, 31 Mars 2019, 10:45

30 të shoqëruar, asnjë autor për vrasjen e vëllezërve Bilali

30 të shoqëruar, asnjë autor për vrasjen e

Jo pak, por 30 persona ka shoqëruar policia e Shkodrës pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali te dera e shtëpisë në lagjen “Kiras”. Pjesa më e madhe e tyre janë pjesëtarë të familjes Lici. Mes të shoqëruarve ka qenë edhe Fatbardh Lici, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, i cili pasi është marrë në pyetje, është lënë i lirë.

Mësohet se nga të gjithë të shoqëruarit në polici, nuk ka ende asnjë autor të dyshuar për vrasjen e dyfishtë edhe pse hetimet vijojnë në këtë drejtim. Astrit dhe Brahim Bilali u ekzekutuan teksa dilnin nga shtëpia.

Autorët i kanë pritur në një automjet tip “Mercedes Benz” dhe në momentin që dy vëllezërit janë shfaqur përpara portës së shtëpisë, i kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Pas ngjarjes autorët dogjën makinën pak kilometra larg, ndërsa brenda u gjet edhe arma e zjarrit kallashnikov. Makina që autorët kanë përdorur gjatë atentatit ka qenë e vjedhur, e denoncuar në polici dhe me targa false.

Targa e makinës së autorëve ishte vjedhur nga një mjet tip Wolksvagen dhe i ishin vendosur Benzit. Rikujtojmë se ditën e djeshme ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas atentatit mafioz shkarkoi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati.

Në krye të Drejtorisë Vendore të Shkodrës është vendosur Niko Brahimi, një nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.