AKTUALITET, 9 Prill 2019, 13:13

Zyrtari amerikan: Qeveria është legjitime, Rama ka mundësi të çojë vendin drejt integrimit në BE

Zyrtari amerikan: Qeveria është legjitime, Rama ka mundësi

ZV/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer ka zhvilluar sot një takim me gazetarët, për të diskutuar për krizën politike.

Mësohet se në këtë takim Palmer është shprehur se Shqipëria ka qeveri legjitime dhe ai nuk kishte një formulë për zgjidhjen e krizës.

“Nuk jam këtu për të diskutuar zgjidhjen. Opozita të hyjë në zgjedhje. Qeveria është legjitime, qeveria Rama ka mundësinë të çojë përpara integrimin e Shqipërisë. Është detyrë e opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje”, kështu është shprehur Palmer para gazetarëve.

Një tjetër çështje e diskutuar në tryezën me median ka qenë dhe ajo e lobimit të partive shqiptare në SHBA dhe për zyrtarin e DASH kjo është një gjë shumë legjitime.

Më tej ka treguar se shumë shpejt do të ketë një emër për ambasadorine SHBA në Shqipëri.

Takimi ka shërbyer për të folur dhe për çështjen e Kosovës, e cila është në një fazë shumë delikate pas bllokimit të dialogut me Serbinë.

“Duhet patjetër një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit. Nëse marrëveshja arrihet do të ketë bekimin e SHBA. Qëndrimi i SHBA është i shkurtit 2019, kur Palmer bisedoi me Bashën dhe Kryemadhin. SHBA dënojnë djegien e mandateve. S’ka formulë zgjidhjeje. Opozita dialogun do e zhvillojë me qeverinë”, ka përfunduar zyrtari i lartë i SHBA.

Zyrtari i DASH prej ditës së djeshme ndodhet në Shqipëri, ku ka ardhur si i dërguar i SHBA për të ulur palët në dialog dhe për të zgjidhur krizën.

Mathew Palmer është takuar dje me Kryeministrin Edi Rama, në një bisedë që ka zgjatur më shumë se 1 orë e 30 minuta. Sot pasdite pritet që të zhvillojë dhe takimet me opozitën dhe me Presidentin, të cilat përfundojnë dhe vizitën e tij në Tiranë.