AKTUALITET, 9 Prill 2019, 11:54

I arrestuari që qëlloi me armë, vëllai i ish-deputetit/ EMRI+DETAJE

I arrestuari që qëlloi me armë, vëllai i ish-deputetit/


Një 48-vjeçar ka rënë në pranga të Policisë pasi është “spiunuar” nga fqinjët e tij. “Në sallën operative ka ardhur telefonatë nga qytetarët se në rrugën e rezervave të shtetit është qëlluar në ajër me armë zjarri nga një mjet.

Shërbimet e policisë në bazë të karakteristikave të dhëna kanë bërë ndalimin e mjetit me drejtues shtetasin A. I., dhe pasagjer shtetasit R. E., 15 vjeç dhe E. E., 27 vjeç (vëllezër)”, njoftoi Policia.

Të njëjtat burime për Dosja.al bëjnë me dije se Isaraj është arrestuar tek rezervat e shtetit në Lundër, ku kishte dal me disa miq të tij dhe kishte qëlluar me armë. Të shtënat me armë ishin dëgjuar nga banoret aty afër dhe kishin njoftuar Policinë e më pas ishte bërë prangosja e tij.

Po kush është i arrestuari nga Policia?

I arrestuari është Altin Isaraj, vëllai ish-drejtuesit e Patentave, Arben Isaraj. Isaraj ra në prangat e Policisë në tetor të vitit të kaluar pasi akuzohej se për dy vepra penale, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Ai u arrestua në tetor nga Policia e Tiranës, pasi i gjeti në trup pas një kontrolli një armë zjarri tip pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, të cilën 45-vjeçari Isaraj e justifikoi për përdorim personal.

Dorëheqja e vëllait?

Pak kohë më parë Arben Isaraj, në tetor të vitit të kaluar dha dorëheqjen nga detyra që mbante në ministrinë e Transporteve, pas ndalimit të vëllait të tij për dy vepra penale.

“Për të mos ndikuar direkt apo indirekt, me pozicionim tim të lartë administrativ, në pavarësinë dhe dhënien e drejtësisë në Shqipëri, jap dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor.

Mbetem në pritje të vlerësimit dhe gjykimit Tuaj. Me këtë rast, me mirëkuptoni ne vendimin tim si dhe pranoni konsideratën time më të lartë, për bashkëpunimin e deritanishëm ligjor, profesional dhe institucional”, ishte kjo letra e Isarajt drejtuar ministrit të kohës Damian Gjiknuri.

Kush është vëllai i Altin Isarajt?

Arben Isaraj nuk është një emër i panjohur për publikun pasi ai ka qenë për shumë vite pjesë e politikës aktive si një eksponent i PS.

“Jeta e tij aktive politike dhe publike, zë fill në vitin 1998-të me emërimin dhe e ushtrimin e detyrave si Këshilltar Juridik dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i disa Kryeministrave dhe ministrit të Mbrojtjes, Inspektor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, Zëvendësministër i Rendit Publik.

Në zgjedhjet parlamentare mazhoritare të vitit 2005-së, Arben Isaraj kandidoi për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore direkte ndaj rivalit të tij, në zonën zgjedhore nr.95, Qarku Vlorë. Ai kryesoi në vitin 2009-të listën zgjedhore parlamentare në Qarkun e Vlorës duke fituar mandatin e dytë si përfaqësues i popullit.

Gjatë këtyre dy mandateve si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (2005-2013) si dhe sekretar e nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Isaraj ishte pjesë përbërëse e komisioneve të përhershme kuvendore të ligjeve dhe sigurisë kombëtare si dhe kryetar e bashkëkryetar i disa komisioneve të posaçme hetimore kuvendore.

Si përfaqësues i popullit në Kuvend dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste në dy mandate, gjatë 8-të viteve në opozitë, pas fitores të 23 qershorit 2013-të, Arben Isaraj emërohet zëvendësministër i Drejtësisë.


Më 2 tetor 2017, ai u emërua si drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e njohur ndryshe edhe si drejtoria e targave dhe patentave.