AKTUALITET, 3 Nëntor 2020, 17:50

Zgjedhjet në SHBA/ A ekziston rreziku që Trump të mos e pranojë rezultatin dhe të vetëshpallet fitues?!

Zgjedhjet në SHBA/ A ekziston rreziku që Trump të mos e


SHBA - Qytetarët po votojnë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm dhe anëtarët e Kongresit.

Por, njëri nga kandidatët, Donald Trump, ka ngritur pikëpyetje të shumta lidhur me procesin zgjedhor, rrezikun e manipulimit të votimit me postë dhe faktit se ai mund të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

Në gjashtë muajt e fundit, Trump ka përsëritur disa herë, se në rast humbje të zgjedhjeve, ato do të jenë të manipuluara, një deklaratë kjo që na kujton më shumë zgjedhjet në Shqipëri dhe duket e pa perceptueshme, për një vend si SHBA.

I pyetur konkretisht nga gazetari i Fox News, Chris Wallace, nëse do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, Trump është shprehur, “ do ta shoh, nuk mund të them as po, as jo", një deklaratë kjo e paprecedent, për një president të SHBA-ve.

Më vonë, në një miting në Wisconsin, ai ka thënsë se, “e vetmja mënyrë që mund t’i humbim zgjedhjet është nëse zgjedhjet vidhen!”

Këtë mesazh ai më vonë e përsëriti edhe në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, dhe më pas, në debatin e parë presidencial në tetor, përballë Joe Biden.

Por sa i mundshëm është ky skenar?

Rrethanat e vështira të mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të pandemisë së Covid-19, e bëjnë më të lehtë për Trumpin, që të hedhë këto akuza apo të vetëshpallet fitues i parakohshëm.

Një numër rekord amerikanësh, kanë votuar me postë, çka do ta vonojë procesin e numërimit. Nëse Trump, shpallet fitues në disa shtete, ekziston skenari që ai të vetëshpallet fitues, para përfundimit të numërimit.

Sipas "The Guardian", Trump po shfrytëzon gjithashtu edhe disa barriera ligjore për të shkaktuar konfuzion. Ai ka kërcënuar disa shtete se do t’i hedhë në gjyq për numërimin e votave me postë.

Por disa ekspertë mendojnë se nëse ka një rezultat të thellë në favor të Biden, atëherë besueshmëria e Trump do të bjerë gjithashtu.

Nëse, proceset gjyqësore zgjasin përtej 20 janarit, atëherë as Trump dhe as Biden, nuk mund të betohen si president. Ligji e bën të qartë, që në rast paaftësie apo mos-kualifikimi të një presidenti, atëherë drejtimin e vendit e merr Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, që në këtë rast është Nancy Pelosi, një person mjaft i urryer nga Presidenti Trump.

Një skenar tjetër më pak i mundshëm quhet “skenari i barrikadës”. Sipas këtij skenari edhe nëse Biden shpallet qartë si fitues, Trump mund të refuzojë të dalë nga zyra fizikisht.

Biden më herët është shprehur, se është ushtria ajo që mund të shoqërojë Presidentin jashtë zyrës . Por pas kësaj deklarate të Biden, një gjeneral i ushtrisë amerikane është shprehur se në rast mosmarrëveshje midis dy politikanëve, janë gjykatat ose Kongresi ata që duhet t’a zgjidhin dhe jo ushtria.

Është mjaft e rrallë, që në një vend demokratik si SHBA, ku manipulimet zgjedhore dhe mashtrimi elektoral është thuajse i panjohur, të ngrihet kaq fortë kjo retorikë, që vë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve dhe rrit spekulimet, për skenarë kaq jo demokratikë!

/TPZ.al/