TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia ka vijuar me gjobat ndaj qytetarëve që nuk mbajnë maska duke ndëshkuar 627 në 24 orët e fundit.
Dhjetë prej tyre nuk kanë bashkëpunuar për të treguar mjetin e identifikimit, ose nuk e kanë pasur me vete, dhe janë shoqëruar në komisariat.
Po ashtu nuk kanë shpëtuar as dy lokale të cilat janë ndëshkuar me gjoba nga 1 milionë lekë pasi vendosën muzikë pas orës 20:00.
Kujtojmë se maska është e detyrueshme në ambientet brenda dhe jashtë përveç banesave, kafeneve dhe restoranteve dhe në rast shkelje gjoba është 3 mijë lekë të reja. Ditën e djeshme ka pasur më pak gjoba se sot teksa ka pasur ditë kur Policia ka ndëshkuar mbi 700 qytetarë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Policia e Shtetit
Ndëshkohen me masë administrative 627 qytetarë dhe 2 administratorë lokalesh, pasi nuk zbatuan masat anticovid.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 627 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 2 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.