TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se me zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, partia ka përmbyllur procesin e konstituimit të institucioneve të saj.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për PD-në, duke theksuar se procesi i ripërtëritjes do të jetë i vazhdueshëm.
I pyetur nëse ky ekip e bën Partinë Demokratike gati për të qenë fituese në zgjedhjet e ardhshme, kreu i PD-së u shpreh se struktura e re është më e mira që ka pasur ndonjëherë kjo forcë politike.
“Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka patur kurrë më parë. Një ekip si ky në kompetencë, eksperiencë dhe formim është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat”, deklaroi Berisha, ndërsa shtoi se në ekipin e ri ka përfaqësim të shtuar të të rinjve, grave dhe figurave me eksperiencë.
Lidhur me kritikat brenda partisë se procesi i ripërtëritjes nuk ka prekur të gjitha nivelet drejtuese, Berisha tha se çdo anëtar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, ndërsa theksoi se zgjedhjet janë zhvilluar me votim të fshehtë dhe me dy kandidatura.
“Këto zëra janë normale, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por siç e shihni, ne votojmë me dy kandidatura, votojmë fshehtas, dhe njëherë them, që kandidaturat e paraqitura para Këshillit Kombëtar janë kandidaturat më, do të thosha, të pakrahasueshme në kualitetet e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm.”, u shpreh ai.
Sa i takon ndryshimeve të mundshme te drejtuesit politikë në qarqe, Berisha tha se procesi do të vijojë gradualisht.
“Ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do të bëhet doradorës. Do të presim rezultatet e votimit, por them edhe njëherë se ka një ripërtëritje të thellë të të gjithë udhëheqjes drejtuese të Partisë Demokratike, të paprecedentë”, përfundoi Berisha.