AKTUALITET, 31 Janar 2018, 16:37

Zbulohen mesazhet private të liderit katalan, pranon fitoren e qeverisë spanjolle

Zbulohen mesazhet private të liderit katalan, pranon fitoren e

Presidenti në ekzil i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka pranuar privatisht, se përpjekjet e tij për të siguruar pavarësinë e Katalonjës, kanë dështuar dhe se ai është sakrifikuar edhe nga të vetët. Këto mesazhe private të cilat Puigdemont ia kishte dërguar një kolegu, janë publikuar nga një televizion spanjoll.

Mesazhet ishin dërguar në aplikacionin "Signal" në gjuhën katalanase. Mesazhet u filmuan nga një kamera e televizionit, sepse personi të cilit Puigdemont ia kishte dërguar mesazhet, po merrte pjesë në një debat televiziv.

Në mesazhe flitet për "ditët e fundit të Republikës së Katalonjës" dhe sugjerohet se lideri Puigdemont, po përgatitet të braktisë përpjekjet e tij për tu rikthyer në Katalonjë.

"Besoj se e kupton se kjo gjë ka marrë fund", shkruhet në njërin nga mesazhet. "Njerëzit tanë na kanë sakrifikuar. Të paktën mua.".

Në një tjetër mesazh, thuhet se "plani i qeverisë spanjolle ka triumfuar".

/TPZ.AL/