TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas deklaratës bombë që bëri ministri Kotzias për ERT kur tha se Shqipëria pranoi që Greqia të shtyjë kufirin detar në 12 milje, reagimet kanë qenë të shumta. Madje disa prej tyre e kanë konsideruar kryeministrin Rama, tradhtar.
Edhe ish-drejtori i Arkivave në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar një shkrim me titull “Marrëveshja e Detit”.
Sipas tij, kemi një qëndrim ndryshe të Partisë Socialiste nga pretendimi për kotësinë e marrëveshjes, në hyrjen në bisedime për një marrëveshje të re.
KOMENTI I PLOTË:
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet ministrave përkatës të punëve të jashtme, më datë 27.4.2009, nënshkruan marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kjo marrëveshje nuk arriti të rafikohej në Kuvend sepse u ankimua në Gjykatën Kushtetuese. Partia Socialiste përpara Gjykatës Kushtetuese paraqiti 10 pikëankesa kundërshtuese, e cila me vendimin nr.15, datë 15.4.2010 e rrëzoi marrëveshjen.
Ankimi lidhej me mospërfshirjen e presidentit në këtë proces, çështjen e emërtesës së marrëveshjes, parimin e barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, mospërcaktimin paraprak të vijës bazë nga shteti shqiptar, moskujdesin në përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës, mosshërbimi i ishullit Barketa si pikë skajore, kotësinë e marrëveshjes, mosshoqërimin me harta dhe mungesën e transparencës me publikun. PS-ja mbronte idenë se nuk duhej të kishte fare marrëveshje të tillë. Kjo argumentohet në këtë nënpikë:
“Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme”.
Në të vërtetë, Protokolli i Firences i takon vitit 1926 dhe jo vitit 1913. Megjithatë, kemi një qëndrim ndryshe të Partisë Socialiste nga pretendimi për kotësinë e marrëveshjes, në hyrjen në bisedime për një marrëveshje të re./TPZ.AL