AKTUALITET, 31 Janar 2018, 14:30

Si ndryshoi qëndrimi i Partisë Socialiste nga viti 2009, për marrëveshjen e detit me Greqinë

Si ndryshoi qëndrimi i Partisë Socialiste nga viti 2009, për
Në vitin 2009, Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Myslym Pashaj,  i paraqiti Gjykatës Kushtetuese, argumentat se përse marrëveshja e qeverisë "Berisha" për delimitimin e hapësirës detare me Greqinë, duhet të konsiderohej e papajtueshme me kushtetutën. Argumentat thelbësorë të Partisë Socialiste, ishin mungesa e dhënies së plotëfuqisë nga presidenti i Republikës dhe përllogaritja e hapësirës detare duke përdorur parimin e "barazlargësisë strikte", metodë që e vendoste Shqipërinë në disfavor, për shkak të pozicionit të saj gjeografik. Këto argumenta janë pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.(më poshtë vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese) Por në argumentat e Partisë Socialiste, vihet re një fakt interesant. Partia Socialiste shprehet në kërkesën e saj, se përcaktimi i kufirit të hapësirës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, nuk është i nevojshëm, sepse ky kufi ishte i përcaktuar dhe ai nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Pra, Partia Socialiste nuk po kontestonte vetëm përllogaritjen e gabuar të hapësirës detare dhe probleme të tjera proceduriale, por ka paraqitur si argument se një marrëveshje e tillë nuk është fare e nevojshme. Ky ishte argumenti i Partisë Socialiste në vitin 2009:  4.8 Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme. Pra mund të themi se kjo parti ka patur një qëndrim të qartë, se Shqipëria nuk duhet të ulej në tryezë me Greqinë, për një marrëveshje për delimitimin e hapësirës detare. Ky qëndrim, ka ndryshuar kryekëput, sepse sot, është qeveria e majtë e ulur në tryezë për një marrëveshje të re me Greqinë. Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është shprehur se marrëveshja e re do të jetë më e mirë se ajo e vitit 2009, sepse do të adoptojë një matje, që ka parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë. "Marrëveshja që ne synojmë të arrijmë, me palën greke sot, do të bëhet mbi bazën e parimit të barazlargësisë, por e axhustuar, në përputhje me gjeografinë dhe në përputhje me karakteriskitat që kanë të dyja vendet". Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet qartë se zbatimi i parimit të "barazlargësisë strikte" (si në rasin e qeverisë Berisha), nuk është i favorshëm për Shqipërinë,  por përllogaritja duhet të bëhet sipas parimit të ekitesë, një koncept juridik që synon arritjen e një rezultati sa më të drejtë dhe të ndershëm mes palëve. Në rasin konkret, marrja në konsideratë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, mund të sjellë një përllogaritje më të drejtë, megjithatë deri në këto momente, nuk ka asnjë detaj konkret për të konkluduar se marrëveshja do të jetë më e drejtë  për vendin tonë. Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm grek, Kotzias, është shprehur se hapësira detare greke do të zgjerohet me 12 milje. Kjo është interpretuar nga opozita si "shitje e detit" dhe cënim i interesave kombëtare. Por edhe për të mbërritur në këtë konluzion, mungojnë faktet. Qeveria shqiptare duhet të japë detaje dhe të shpjegojë konkretisht, se si do të bëhet përllogaritja e ndarjes së hapësirës detare, dhe cili do të jetë efekti i marrjes parasysh të pozicionit gjeografik të palëve. Ky është një proces shumë i rëndësishëm, që duhet të shoqërohet me transparencë. /TPZ.AL/ 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese by TPZ.AL on Scribd