AKTUALITET, 31 Janar 2018, 14:34

Ekstradimi i Seitajt, ish-ministri: Krim, jo gabim, të hetohen kryeprokurorja dhe ministrja

Ekstradimi i Seitajt, ish-ministri: Krim, jo gabim, të hetohen

Ekstradimi i finacierit të Habilajve, prej ditësh është vënë në qendër të debateve. reagimet më të ashpra, kanë ardhur nga opozita. Por nuk ka qendruar larg edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Ai thotë se ekstradimi i Nezar Seitajt, nuk është gabim por krim, ndërsa i kërkon  prokurorit të Krimeve të Rënda të hetojë kryeprokuroren Arta Marku dhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Sipas ligjit tonë askush nuk mund te ekstradohet në një shtet tjetër, nëse ndaj tij ka një çështje penale të hapur në Shqipëri! Kjo kërkesë ligjit e vendosur në kontekstin e përgjegjësive ligjore që kanë, kur nuk zbatohet bën përgjegjës direkt: Ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm! Kjo është përgjegjësi me faj dhe jo gabim njerëzor, siç mundohet ta shesë zonja Hysi! Është e gjitha një veprimtari shtetërore e kryer me faj të rëndë dhe në bashkëpunim!

Prokurori i Krimeve të Rënda, në vend të bëjë deklarata publike, duhet të hetojë me përparësi: Prokuroren e Përgjithshme, Ministren e Drejtësisë, drejtoritë e Marrëdhënieve Juridiksionale në të dyja institucionet, zyrën e Interpolit, drejtuesit e Burgjeve dhe grupin e gjykatësve dhe prokuroreve që kanë kryer procedurën e ekstradimit!” – shkruan Manjani./TPZ.AL