AKTUALITET, 20 Janar 2018, 15:27

Zbulimi/ Zhduken 24 pasuri të konfiskuara të krimit, janë miliona euro...

Zbulimi/ Zhduken 24 pasuri të konfiskuara të krimit, janë miliona

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se 24 pasuri të konfiskuara të krimit janë “zhdukur” gjatë viteve 2016 dhe 2017. Ky fakt është konstatuar pas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për periudhën 2016-2017.

Në raportin që mban firmën e kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, mësohet se gjatë auditimit janë konstatuar mangësi dhe parregullsi në procedurat e dhënies me qira të pasurive që lidhen me mosaplikimin e saktë të elementëve të vlerës së pasurisë që jepet me qira, procedura jo të sakta gjatë veprimtarisë së administrimit të pasurive, që lidhen me, mangësi në procedurat e ndjekura për administrimin, inventarizimin dhe regjistrimin e tyre.

Grupi i auditimit, duke iu referuar datës së marrjes në dorëzim të pasurive konstatoi se, ka një diferencë midis pasurive të raportuara në raportin e aktivitetit të agjencisë dhe raportimit mujor të administratorëve të pasurive, për pasuritë që ata administrojnë, që konfirmon problematikën në këtë mënyrë regjistrimi.

Kështu u konstatua një diferencë në numrin e pasurive të administruara, prej 15 pasurish për vitin 2016 dhe 9 pasurish në tetë mujorin e vitit 2017.