TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në muajin shkurt të këtij viti, do të vihet në jetë projekti pilot “Të bëjmë detyrat e shkollës”, ku nxënësit do të qëndrojnë në shkollë pas procesit mësimor për të ngrënë drekën e për të bërë detyrat.
Sipas këtij projekti të miratuar nga Bashkia e Tiranës, përfitues janë plot 3 mijë nxënës të moshës 6-15 vjeç, në katër shkolla të kryeqytetit, të cilët do të rrinë në ambientet e institucionit arsimor deri në orën 17:00.
Respektivisht përfituese është shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi” ku ushqimi do të jepet falas nga bashkia. Ndërkohë në shkollën 9 vjeçare “E Kuqe”, ushqimi do të financohet nga prindi në masën 100%, kurse në shkollën “Betim Muça”, ushqimi do të merret me vete nga fëmijët.
Financim në masën 50% nga prindi, e 50% nga Bashkia do të ofrohet për shkollën 9-vjeçare “Hasan Tahsim” në Tiranë. Projekti pilot që do të fillojë në shkurt të 2018-ës, synon që t’i japë një ndihmë fëmijëve të shkollave periferike, komuniteteve rome, egjiptiane që janë në vështirësi ekonomike. Në këtë mënyrë, ata do të mund të bëjnë detyrat e shtëpisë me mësues të dedikuar duke u përgatitur për të nesërmen si dhe të hanë drekën në shkollë.
Ndërkohë gjatë kësaj kohe nxënësit do të kenë mundësi edhe të argëtohen me aktivitete të ndryshme të hartuara nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës. Më tej, të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë.
Formulari i regjistrimit
Të gjithë prindërit që janë dakord për zbatimin e këtij projekti, kanë mundësi të marrin formularin e regjistrimit, në ato shkolla ku do të zbatohet kjo nismë. Ata duhet të plotësojnë të dhënat individuale të fëmijës, dhe të miratojnë menynë e ushqimeve që do të konsumojë fëmija në shkollë, nga e hëna në të premte. Në shkollën “E Kuqe”, prindërit duhet të paguajnë paraprakisht 3520 lekë të reja, shumë e cila do i rikthehet familjeve me përfundimin e vitit mësimor.
“Për fëmijët, të cilët i përkasin familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, nuk është i detyrueshëm parapagimi i shumës së garancisë dhe pagesa e kuotës ditore të ushqimit”,-theksohet në formular. Ndërkaq, tarifa ditore për familjet që nuk trajtohen me ndihmë ekonomike, do të jetë 160 lekë e pagesa duhet të kryhet çdo muaj në afatin 8-25 të muajit pasardhës. Në rast mospagimi të tarifës mujore brenda afatit, fëmija nuk mund të përfitojë nga vakti ushqimor, por do të mund të frekuentojë rregullisht shkollën e aktivitetet që do të organizohen pas mësimit.
Familjet e nxënësve janë njohur edhe me menynë në të cilën ushqimi do të jetë i kontrolluar dhe i përshtatur me nevojat e fëmijëve. Në të gjitha ato raste, kur prindërit do të konstatojnë një shërbim jo cilësor, duhet të bëjnë ankimimin e tyre. Nëse ky projekt pilot, do të rezultojë i suksesshëm do të zbatohet edhe në shkollat e tjera në kryeqytet. Ndërkohë janë edhe 4 qarqe të tjera; Korça, Elbasani, Lezha dhe Fieri me nga 4 shkolla secili qark, ku do të vihet në jetë projekti.