AKTUALITET, 20 Janar 2018, 11:55

Mbyllet qeveria e SHBA-së, buxheti nuk kalon në Senat

Mbyllet qeveria e SHBA-së, buxheti nuk kalon në Senat


Qeveria amerikane, ka filluar procedurën e mbylljes, pasi Senati nuk arriti të kalojë buxhetin.

Projektligji për financimin e qeverisë federale deri në 16 Shkurt, nuk arriti të marrë 60 votat e nevojshme, pas debateve të ashpra lidhur me emigracionin dhe sigurinë e kufijve.

Kjo është hera e parë që qeveria mbyllet në një kohë kur e njëjta parti, Republikane, kontrollon Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Demokratëtë, se kanë "vendosur politikën mbi sigurinë kombëtare, familjet e ushtarakëve, fëmijët në nevojë dhe mundësinë që shteti ti shërbejë të gjithë amerikanëve".

Por, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, u shpreh se Presidenti Trump, ka refuzuar dy marrëveshje bipartizane që synonin kompromisin.

Hera e fundit që qeveria amerikane u mbyll, ndodhi në vitin 2013 dhe zgjati 16 ditë.

Çfarë është mbyllja e qeverisë?

Që prej ditës së shtunë, shumë agjensi federale nuk do të jenë të hapura,  megjithatë disa shërbime bazë do të vazhdojnë të ofrohen për njerëzit.

Shumica e punonjësve të departamenteve të mjedisit, edukimit, strehimit dhe tregëtisë nuk do të paraqiten në punë, derisa qeveria të hapet sërish. Gjithashtu një pjesë e madhe e punonjësve të departamenteve të thesarit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe transportit, nuk do të paraqiten në punë ditën e hënë.

Megjithatë, shërbimet bazike si mbrojtja e "jetës dhe pronës", do të vazhdojnë. Këtu përfshihen, siguria kombëtare, shërbimet postare, kontrolli i trafikut ajror, shërbimet mjekësore, shërbimet e emergjencës dhe të katastrofave natyrore, burgjet, shërbimet e taksave dhe energjisë.

Burimi: BBC / TPZ.AL