AKTUALITET, 25 Qershor 2019, 15:15

Zbardhet manovra e PS-së për të rritur pjesëmarrjen, njerëzve u merret firma për t’u garantuar se do të votojnë

Edi Ramës në këto zgjedhje ku garon i vetëm i duhet pjesëmarrja në votimi pasi mandatet i ka të siguruara. Për të rritur pjesëmarrjen, makineria socialiste ka nisur një manovër tjetër.

Edhe duke qenë të vetëm në garë nuk u rrihet pa diktuar vullnetin e lirë të njerëzve për të votuar.

Sigurisht që edhe kjo është një formë për të deformuar rezultatin. Kujtojmë që sipas përgjimeve të BILD, në zgjedhjet e vitit 2017, PS kishte vënë në zbatim një skemë të tërë kriminale për blerjen masive të votës.

Nëpër qytete të ndryshme janë parë të shpërndarë disa formularë që bëjnë fjalë për një të ashtuquajtur sistem patronazhi, që duket se është gjetja e përdorur nga socialistët për të bërë identifikimin e zgjedhësve dhe garancinë për votën.

Në formular ka të detajuar elementë të posaçëm si për emrin e personit të patronazhit, tek emrat e votuesve, me qendër votimi e deri te vendi ku do të takohen për të “shmangur deklarimet fiktive”.

Poshtë formularit ka saktësime të tjera, të tipit “patronazhuesi që plotëson formularin garanton dhe mban përgjegjësi që personat e listuar, pra votuesit, do të paraqiten për të votuar më 30 qershor. Patronazhues mund të jenë që nga drejtues të strukturave të PS, drejtues institucionesh, persona influentë në zona, apo persona që quhen të spikatur”.

Në këtë mënyrë patronazhuesi del garant që ata do votojnë për PS, pasi u ka marrë më parë emrat dhe firmat dhe bën edhe shoqërimin e tyre në votim.