AKTUALITET, 25 Qershor 2019, 13:06

KPK e konfirmoi në detyrë, nis seanca për Zaganjorin. Pse KP kërkon shkarkimin e kreut të Gjykatës së Lartë


Gjatë ditës së sotme në KPA ka nisur seanca për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të Zaganjorit.

Kryetari i gjykatës së Lartë tha se: "Nuk kam asnjë kundërshtim për trupën gjykuese."

Ankimimi vendimit

Komisioneri Publik ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese pasi shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim.

Komisioneri Publik vlerësoi se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Zaganjori i konfirmua në detyrë në korrik të këtij viti

Në korrik të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta rikonfirmojë në detyrë, Xhezair Zaganjorin.

Ne seancën dëgjimore të zhvilluar në 20 korrik, vetë kryegjyqtari dha sqarime ne lidhje me gjetjet që Komisioni i kishte konstatuar gjatë kontrollit të pasurive të tij.

Sipas KPK-së, ne deklarimet e bëra nga kreu i Gjykatës së Lartë kishte pasaktësi si dhe kishte shmangie të detyrimeve tatimore.

Gjetjet e Komisionit u kundërshtuan nga kreu i Gjykatës së Lartë, i cili paraqiti prova shtesë në lidhje me të ardhurat e tij ndër vite, të cilët nuk ishin pasqyruar në deklaratën vetting.