TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edmond Çipllaka i arrestuar nga policia e Elbasanit me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe fshehje të të ardhurave në fillim të muajit korrik tashmë ndodhet në burg duke pritur gjykimin e tij.
Ish-boksieri 43-vjeçar e kishte kthyer lokalin e tij me muzikë live “Tallava Qerosi”, pranë Belshit, në qendër që ofronte edhe shërbime ekstra. “Shqiptarja.com” publikon pjesë nga dosja e akuzës për Edmond Çipllaka. Sipas saj policia kur ka ushtruar kontroll ka gjetur në lokal kokainë si dhe pesë vajza që punonin si balerina në lokal.
DROGA
“Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve & Trafiqeve të Paligjshme, pranë DVP Elbasan, janë marrë informacione nga burime të besueshme, se në ambientet e lokalit me muzike Live me emrin “Tallava Qerosi”, në fshatin Trojas, Belsh, në krahun e djathtë të aksit rrugor Belsh-Cerrik, shpërndahej lëndë narkotike e llojit “kokainë” klientëve të ndryshëm.
Gjithashtu, në ambientet e këtij lokali vinin nga qytete të ndryshme vajza, të cilat kërcenin dhe shoqëroheshin me klientë të ndryshëm të këtij lokali.
Me qëllim verifikimin e këtij informacioni, në datë 06.07.2019, rreth orës 23:50, nga shërbimet e Postës së Policisë Belsh, së bashku me specialistët e seksionit për hetimin e narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, është ushtruar kontroll në ambientet e Lokalit me emrin “Tallava Qerosi”, në fshatin Trojas, Belsh, në krahun e djathtë të aksit rrugor Belsh – Cerrik.
Gjatë kontrollit, në katin e nëndheshëm të këtij ambienti, në një dhomë, ku ishin disa divane dhe karrige, në njërin prej divaneve qëndronte i shtrirë shtetasi Edmond Çipllaku. Ky shtetas e ka marrë me qira këtë ambient.
Në tavolinë u gjet një çantë dore burrash, meshini, me ngjyrë kafe, me stampën e “MONTBLANC”. Brenda në xhepin e kësaj çante u gjet një peshore elektronike me ngjyrë gri, me mbetje pluhuri si të bardhë në sipërfaqen e saj dhe në pjesën e pasme me mbishkrimin: ‘NOT LEGAL FOR TRADE’.
Gjithashtu, u gjetën 2 (dy) qeska ambalazhi plastike me ngjyrë si të bardhë dhe transparente, secila me një sasi pluhuri të ngurtësuar, me ngjyrë si të bardhë, i cili për nga karakteristikat ngjasonte me lëndë narkotike të llojit “kokainë”….
Nga peshimi që iu bë qeseve me material pluhur të bardhë e të ngurtësuar, i dyshuar si lëndë narkotike e llojit “kokainë” ka rezultuar: qeska e ambalazhit plastik me ngjyre si të bardhe ka një peshë prej 6.1 (gjashtë pikë një) gram bashkë me ambalazhin; 1. qeska e ambalazhit plastik transparent ka një peshë prej 8.6 ( tetë pikë gjashtë) gram bashke me ambalazhin”, thotë akuza.
PA KASE FISKALE
Kuptohet me gjithë këto shkelje Çipllaka nuk mendonte që të pajisej edhe me kasë fiskale. “Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, nuk u konstatua kasë fiskale. Pas fiksimit të këtyre provave materiale, u bë shoqërimi në ambientet e DVP Elbasan i këtij shtetasi për kryerjen e veprimeve procedurale dhe peshimin e provës materiale.”, thuhet në dosje.
5 BALERINAT
Kur u arrestua Çipllaka nga policia në informacionin paraprak u tha se ai do të akuzohej edhe për shfrytëzim prostitucioni, por mesa duket kjo akuzë nuk është provuar ndaj edhe prokuroria nuk e ka ngritur në gjykatë.
Gjithsesi në lokal u gjendën 5 vajza që deklaronin se punonin si balerina. “Në ambientet e këtij lokali, ndër të tjerë janë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Elbasan shtetaset: F.H., lindur në Kurbin e banuese në Patos; M.H, lindur në Lezhë e banuese në Patos; S.Y, lindur në Kuçovë e banuese në Patos; K.P, lindur e banuese në Lushnje dhe A.S, lindur në Korçë e banuese në Lushnje. Këto shtetase kanë deklaruar, se punojnë si balerina në lokalin e Edmond Çipllaka, të cilin e thërrasin “Mond Qerosi”, përveç shtetases K.P, e cila ka qenë për herë të parë në këtë lokal.
Këto shtetase përfitojnë të ardhura në lekë nga klientë të ndryshëm, të cilët frekuentojnë këtë lokal, në momentin që ato kërcejnë si balerina në ambientet e këtij lokali.”
/ Shqiptarja.com