AKTUALITET, 6 August 2026, 21:32

Ylli Manjani u kthehet protestuesve: Kush më shan, është i sharë!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve dhe protestuesve, të cilët sipas tij e kanë kthyer në shënjestër dhe kanë nxjerrë deklaratat e jo-kontekst.

I ftuar në një emision televiziv, Manjani u shpreh se fjalët e tij për "bukën e gojës" janë keqinterpretuar qëllimisht nga ata që i quajti "mashtrues elektronikë" dhe "horra elektronikë". Ai sqaroi se deklarata lidhej me shitblerjen e votës dhe jo me të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

"Këta persona që më vendosin mua në kontekst të ndryshëm nuk janë tjetër gjë, veçse mashtrues elektronikë. Shitja e votës nuk justifikohet në emër të bukës së gojës, këtë kam thënë unë… Ata kanë publikuar dhe numrin tim të telefonit dhe kanë nxitur urrejtjen e njerëzve me fjalë që nuk i kam thënë unë", deklaroi Manjani.

Duke iu përgjigjur fyerjeve dhe sulmeve ndaj tij në rrjetet sociale, ish-ministri lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë: "Prapë po e them se kush më shan, është i sharë. Është shumë e thjeshtë, është logjikë e pastër. Kush merret me personin tim, familjen time, që shan nga mëngjesi në mëngjes, është i sharë nga mëngjesi në mëngjes. Unë nuk jam në pushtet, nuk e kuptoj se çfarë kanë me mua".

Në lidhje me lëvizjen e përditshme të qytetarëve në shesh, Manjani e cilësoi protestën si absurde, duke argumentuar se ajo nuk e ka të qartë se çfarë dëshiron të arrijë. Sipas tij, në tubime ka pasur edhe elementë destabilizues, çka sipas tij dëshmohet nga shpallja e disa personave si non grata.