TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike dhe publikimeve në media lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke i cilësuar pretendimet e opozitës si të pavërteta.
Në një deklaratë, Ministria thekson se procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe konkurrencës.
“Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik”, thuhet në reagim.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se çështja gjyqësore në Spanjë nuk ka përfunduar me një vendim të formës së prerë dhe ndodhet ende në shqyrtim nga Gjykata e Lartë e atij vendi.
“Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit. Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi”, thuhet ne reagim.
Deklarata:
Në lidhje me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike si dhe qarkullimin në disa portale mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.
AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.
Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.
Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.