BALLKAN, 25 July 2026, 21:34

Vuçiç u bën thirrje ushtarëve serbë: Kosova është e jona dhe duhet mbrojtur

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur sërish retorikën e tij nacionaliste, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura serbe në Banjicë, ku Vuçiç iu drejtua ushtarakëve të rinj me një mesazh për qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës.

“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit. Ne duhet ta kujtojmë këtë dhe ta mbrojmë atë shenjtëri, pa prekur askënd, pa sulmuar askënd dhe pa kërcënuar askënd”, deklaroi Vuçiç.

Gjatë fjalës së tij, presidenti serb sulmoi edhe njëherë marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ky pakt është kundër Serbisë.

“Ata po formojnë aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kemi kuptuar këto lëvizje dhe kemi filluar të bëjmë atë që është e nevojshme.

Në një kohë kur e drejta ndërkombëtare nuk po respektohet dhe Karta e OKB-së nuk po zbatohet, ju jeni garantuesit e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Serbisë”, u shpreh Vuçiç.

Gjatë ceremonisë, presidenti serb nderoi kadetët më të dalluar të Akademisë Ushtarake, duke u dorëzuar shpatat e oficerëve me dedikim.