TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tridhjetë e tre vjet pasi i mbijetoi burgosjes dhe torturave në kampet e Derventës, Drago Knezhevic ka dëshmuar sërish për ngjarjet e vitit 1992.
Këtë herë, ai u mor në pyetje për disa orë nga hetues amerikanë, të cilët mbërritën në Bosnje dhe Hercegovinë në mes të korrikut për të mbledhur informacione në kuadër të një hetimi të mundshëm për krimet e luftës të kryera në Derventë dhe për persona që dyshohet se aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë marrjes në pyetje, Knezhevic thotë se ka kuptuar se kush mund të jetë në fokus të hetuesve amerikanë, por për shkak të vazhdimit të hetimeve nuk dëshiron të japë më shumë detaje.
“Unë kam qenë ‘pacienti’ i tij”, tha Knezhevic për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur se çfarë nënkupton me këtë, ai shpjegoi se bëhet fjalë për një person që, sipas tij, e ka rrahur dhe keqtrajtuar gjatë kohës që ishte i burgosur.
“Më rrihte dhe më torturonte. Më jepte një pistoletë që të vrisja veten dhe më thoshte: ‘Tani gjithçka ka marrë fund për ty’”, kujton ai.
Hetuesit amerikanë kërkuan detaje të hollësishme
Në kampet e ngritura në ish-selinë e Armatës Popullore Jugosllave në Derventë, në veri të Bosnje dhe Hercegovinës, Knezhevic thotë se kaloi dy muajt më të rëndë të jetës së tij.
Pas kësaj, ai u mbajt edhe 15 ditë në paraburgim në Sllavonski Brod.
“Arrita në një gjendje të tillë psikike, saqë i lutesha Zotit të vdisja. Nuk i duroja më rrahjet”, rrëfen ai.
Vizita e hetuesve amerikanë u organizua në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Knezhevic tregon se dy inspektorë të Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) u dorëzuan ftesa tetë ish-të burgosurve të kampeve për të dhënë dëshmi para hetuesve amerikanë.
Sipas tij, gjatë intervistave që zgjatën disa orë, hetuesit shqyrtuan deklaratat që ish-të burgosurit kishin dhënë më herët në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës, duke kërkuar sqarime shtesë dhe hollësi për personat që mund të jenë nën hetim.
“Më kërkuan madje të përshkruaja edhe çfarë çizmesh mbante një person në kamp. Aq të detajuar janë”, tha Knezhevic.
Ai tregoi se intervista me dëshmitarin e parë zgjati rreth dy orë e gjysmë, ndërsa më pas dha edhe ai dëshminë e tij.
“Bëhet fjalë për gjashtë hetues nga SHBA-ja dhe dy inspektorë të SIPA-s”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, por ky institucion nuk pranoi as ta konfirmojë dhe as ta mohojë zhvillimin e ndonjë hetimi.
Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës: Bashkëpunim me SHBA-në
Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se prej vitesh bashkëpunon me institucionet amerikane të drejtësisë në rastet e krimeve të luftës që lidhen me persona të cilët pas luftës vazhduan të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës mirëpret aktivitetet e kolegëve nga SHBA-ja në trajtimin e rasteve të lidhura me krimet e luftës. Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me prokuroritë dhe institucionet e drejtësisë amerikane, veçanërisht në hetimet që kanë të bëjnë me persona, të cilët pas luftës vazhduan jetën në SHBA, në identifikimin dhe ndjekjen penale të tyre, si dhe në ekstradimin e tyre tek autoritetet gjyqësore të Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Institucioni shtoi se, duke qenë se bëhet fjalë për çështje që trajtohen nga autoritetet amerikane, nuk mund të japë më shumë hollësi.
Vizita e hetuesve amerikanë zhvillohet në një kohë kur Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës vazhdon të ketë në shqyrtim një numër të madh rastesh të krimeve të luftës.
Sipas raportit të Prokurorisë për vitin 2025, në fund të vitit ishin të hapura 162 raste kundër të dyshuarve të identifikuar, që përfshijnë më shumë se 2 mijë persona, si dhe qindra raste të tjera ku autorët ende nuk janë identifikuar.
Ekstradimet nga SHBA-ja dhe dënimet për Derventën
Edhe pse Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka konfirmuar nëse po zhvillon një hetim konkret për krimet e luftës në Derventë, autoritetet amerikane prej vitesh hetojnë persona të dyshuar për krime lufte që pas konfliktit emigruan në Shtetet e Bashkuara.
Në rastet kur konstatohet se një person ka fshehur përfshirjen në krime lufte ose ka dhënë informacione të rreme gjatë aplikimit për vizë, leje qëndrimi apo shtetësi amerikane, mund të nisin procedura për heqjen e shtetësisë, dëbimin ose ekstradimin në shtetin ku zhvillohet apo pritet të zhvillohet procedimi penal.
Një nga rastet më të njohura është ai i Azra Bashic, ish-pjesëtare e Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO).
Ajo u arrestua në vitin 2011 në shtetin amerikan të Kentakit dhe më pas u ekstradua në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në vitin 2016, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e dënoi Bashic me 14 vjet burgim për krime lufte kundër civilëve serbë dhe robërve të luftës në Derventë.
Nga SHBA-ja në Bosnje dhe Hercegovinë u ekstradua edhe Allmaz Nezirovic, ish-pjesëtar i HVO-së, i cili në vitin 2020 u dënua përfundimisht me dy vjet burgim për krime kundër robërve të luftës në Derventë.
Çfarë ndodhi në Derventë?
Në pranverën e vitit 1992, Derventa u bë skenë e luftimeve mes forcave të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe formacioneve ushtarake serbe, në njërën anë, dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe njësive të Ushtrisë Kroate, në anën tjetër.
Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1992, qindra civilë, kryesisht të kombësisë serbe, u mbajtën të burgosur në kampin e Armatës Popullore Jugosllave, kampin Rabic dhe objekte të tjera të improvizuara.
Sipas vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, të burgosurit iu nënshtruan rrahjeve, torturave, poshtërimit, punës së detyruar dhe trajtimeve të tjera çnjerëzore.
Disa prej tyre nuk i mbijetuan burgosjes, ndërsa shumë të tjerë, përfshirë Knezhevicin, dëshmuan për pasojat fizike dhe psikologjike që lanë ato përvoja.
“Nuk mund ta gjykojmë një popull të tërë për shkak të kriminelëve”
Knezhevic është një nga qindra personat e mbajtur në kampet e Derventës. Ai ka dëshmuar disa herë gjatë tri dekadave të fundit para Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Gjykatës së Qarkut në Doboj.
Ai kujton se pasi u kap dhe u dërgua në kampin e Armatës Popullore Jugosllave, kuptoi se mund të mos dilte i gjallë.
“Kur më kapën dhe më sollën në kamp, e pashë për herë të parë shkronjën ‘U’ në kapelën e një roje. Deri atëherë as nuk e dija se kush ishin ustashët. Kur e pashë atë shenjë, mendova: ‘Tani e pashë vdekjen’”, rrëfen ai.
Sipas tij, që natën e parë nisën marrjet në pyetje dhe rrahjet.
Pas dy muajsh në kampet e Derventës dhe 15 ditësh në Sllavonski Brod, ai u lirua pas disa përpjekjeve për shkëmbimin e të burgosurve.
“Më thyen brinjët. Kur shkova më vonë te mjeku, më tha se brinjët ma kishin shpuar cipën e mushkërive”, kujton ai.
Knezhevic thotë se ende sot përballet me pasojat psikologjike të asaj periudhe.
“Edhe sot shoh në ëndërr se më ndjekin dhe më zënë përsëri rob. Zgjohem duke u dridhur”, thotë ai.
Më shumë se tri dekada pas luftës, ai shprehet se ardhja e hetuesve amerikanë i ka dhënë ndjesinë se dëshmia e tij ende mund të ketë vlerë.
“Krime ka pasur dhe unë flas për atë që ka ndodhur në Derventë. Por, nuk mund ta shohim një popull të tërë përmes këtyre kriminelëve. Jo i gjithë populli është i tillë. Le të përgjigjet secili për atë që ka bërë”, tha Knezhevic.
Teksa pret të shohë nëse hetimi do të çojë në ekstradime dhe ngritje aktakuzash, ai thotë se dëshiron vetëm që drejtësia të vihet në vend.
“Ata që i kanë kryer këto krime, kudo që ndodhen sot, më në fund të mbajnë përgjegjësi”. /REL/