BALLKAN, 22 July 2026, 15:26

Ballkani nën pushtetin e stuhive! 10 të lënduar në Maqedoninë e Veriut, dëme të mëdha në Bosnje dhe përmbytje në Kroaci

Stuhitë e forta që përfshinë Ballkanin gjatë mesnatës shkaktuan dëme të shumta në disa vende të rajonit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, rajoni i Hercegovinës u godit më rëndë, veçanërisht zona e Nevesinjes. Kryetari i bashkisë, Milenko Avdaloviç, deklaroi se dëmet në bujqësi arrijnë në miliona marka boshnjake.

Sipas tij, stuhia shkatërroi pothuajse tërësisht kulturat e patateve, qepëve, lakrave dhe pemishtet, ndërsa dëme u raportuan edhe në vreshtat e zonave Grude dhe Ljubushki. Në Maqedoninë e Veriut, erërat arritën shpejtësi deri në 134 km/h në Shtip dhe 130 km/h në Shkup. Numri i emergjencës 112 mori mbi 9 mijë telefonata, ndërsa autoritetet raportuan 10 persona të lënduar.Në kryeqytet u dëmtuan mbi 100 automjete, u rrëzuan 189 pemë dhe u dëmtuan disa ndërtesa publike, përfshirë Presidencën, disa ministri dhe aeroportin.

Edhe Kroacia u përball me mot të ashpër, sidomos përgjatë bregdetit të Adriatikut. Në ishullin Hvar, niveli i detit u rrit me rreth 1.5 metra, duke përmbytur shëtitoren dhe disa rrugë në Stari Grad. Rritje e nivelit të detit u regjistrua edhe në ishujt Vis dhe Korçula, por pa dëme të mëdha. Shkencëtarët paralajmërojnë se, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale të shkaktuar nga emetimet e lëndëve djegëse fosile, fenomenet ekstreme të motit pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në vitet e ardhshme.