TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës për shkarkimin e prokurorëve serbë, si dhe për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që nuk pranoi tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Në një komunikatë për media, zëdhënësja e BE-së vlerësoi se këto veprime "duken të papajtueshme me ligjin, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë".
Bashkimi Evropian mirëpriti vendimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb për të tërhequr dorëheqjet e tyre, duke rikujtuar se ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës të mundësojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb.
Sipas Brukselit, ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
"BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës", thuhet në komunikatë.
Në reagimin e saj, Bashkimi Evropian thekson gjithashtu se, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, vendi është një shoqëri shumetnike e ndërtuar mbi parimin e sundimit të ligjit, ndërsa sistemi i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të shoqërisë.