TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar këtë të premte një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ku në fokus ishin procesi i dialogut, marrëdhëniet me BE-në dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një angazhimi konstruktiv në dialog, me synim paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë, sigurinë euro-atlantike dhe fqinjësinë e mirë.
Gjatë takimit u diskutua edhe çështja e rikthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Kurti theksoi se çdo proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke garantuar barazinë e qytetarëve dhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve në institucionet shtetërore.
Ai u shpreh se dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në veri të vendit kishin për synim, sipas tij, cenimin e karakterit shumetnik të institucioneve të Kosovës. Për këtë arsye, theksoi se ruajtja e një sistemi gjyqësor shumetnik duhet të ecë paralelisht me garantimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit të drejtësisë.
Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, ku u nënvizua rëndësia e respektimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit si bazë për ecjen përpara në proces.