TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Familja e Kujtim Koxhës, autorit të masakrës në Shëlli, ku mbetën të vrarë tre persona e një tjetër u plagos, janë larguar nga fshati. Aktualisht, në banesë qëndronte vetëm bashkëshortja dhe një motër e Koxhës, ndërsa fëmijët e tyre ndodhen jashtë Shqipërisë.
Dy vëllezërit vazhdojnë të banojnë në fshatin e Njësisë Administrative Macukull, por frika e gjakmarrjes është evidente. Për disa ditë me radhë në shtëpinë e 54-vjeçarit Koxha, Policia ka organizuar shërbimet e saj për të shmangur çdo ngjarje të mundshme hakmarrjeje.
Banorë të fshatit thanë se Vjollca Koxha, fillimisht, shiti bagëtitë dhe sendet e tjera dhe pastaj e shoqëruar nga Policia udhëtoi drejt Tiranës, atje ku familja Koxha ka një banesë të ndërtuar vitet e fundit.
“Ishte e pamundur që familja Koxha të qëndronte më tej në fshat. Kujtimi ka vrarë tre veta duke ngrënë bukë, në mes të ditës, në qendër të fshatit. As Policia nuk mund të qëndronte me muaj pranë kësaj familje. Vjollca shiti delet, lopët, kafshët e barrës dhe iku në Tiranë. Mjeti me të cilin ajo mori çfarë i duhej bëri dy rrugë. Me siguri, frika nga hakmarrja bëri që ajo ta lërë vendlindjen e burrit të saj pas afro 30 vitesh”, thanë banorë të fshatit.
Në Shëlli vazhdojnë të qëndrojnë ende dy vëllezër të Kujtim Koxhës, por ata, sipas banorëve të këtushëm, duhet të transferohen. Argumentet janë se kanuni vepron edhe për vëllezërit e autorit.
“Edhe vëllezërit e Kujtimit duhet të ikin nga Shëlliu. Ai ka kryer një krim shumë të rëndë dhe një farë barre bie edhe mbi ata. Familjarët e tri viktimave kanë hall të madh dhe ata një ditë mund të hakmerren edhe mbi vëllezërit e Kujtimit. Në Veri Kanuni ka zënë vend dhe gjithçka mund të ndodhë”, pohuan banorët e Shëlliut. Autori kryesor i dyshuar për masakrën nuk ka pranuar të flasë para Gjykatës.
Ai ka shprehur pendesë dhe para pak ditësh ka tentuar të vetëvritet në ambientet e Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel. Pavarësisht se bashkëshortja e Koxhës deklaroi për “Panorama” se nuk do ta braktiste të shoqin pas kësaj ngjarjeje, në fakt nuk rezulton që ajo apo fëmijët e saj të kenë shkuar për ta vizituar atë.