TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Nuk do të ketë asnjë dekret për emërimin e kryeministrit dhe ministrave, nëse preket qoftë edhe një votë. Unë do të dëgjoj vullnetin e popullit shqiptar”
Deklarata është e Ilir Metës. është bërë në 13 qershor të vitit të kaluar, në kulmin e fushatës zgjedhore, pasi ai ishte votuar si president. Asokohe u konsiderua një deklaratë e fortë dhe shkaktoi pështjellim mes socialistëve.
Jo thjesht për kthesën që u bëri ish aleati të cilin kishin disa javë që e braktisën, por sepse kuptuan se kishin votuar për president një politikan rrace, që ishte gati në çdo kohë t’i përdorë atributet që i jep kushtetuta si president, në funksion të mllefit, inatit, dhe luftës politike të ditës për të arritur me çdo kusht qëllimin, pavarësisht mjetit që përdorte.
Kur e bëri atë deklaratë, LSI gjendej në cep të ringut, në një pozicion të vështirë të imponuar nga marrëveshja Rama-Basha. Ishte kjo marrëveshje, që nxorri për herë të parë idenë e Ilir Metës për të mos i dekretuar ministratdhe kryeministrin, një akt që e vuri në zbatim për Sandër Lleshin.
Çfarë i bashkon të dyja situatat, atë qëndrim të Metës në fushatën zgjedhore dhe këtë vendim të sotëm për të mos e dekretuar propozimin e Ramës është se ato udhëhiqen në të dyja rastet nga qëllimi politik dhe jo nga argumentat kushtetuese. Dhe këtë Ilir Meta nuk e ka fshehur, kur ka prezantuar vetëm bindjet e tij dhe asnjë argument apo gjetje në të shkuarën e Sandër Lleshit.
Dikur ishte gati të mos e dekretojë kryeministrin për të penguar koalicionin e madh PD-PS, sot nuk e dekretoi ministrin për të mos e lehtësuar Ramën nga pesha e rëndë e gabimit që bëri me zgjedhjen e Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt, në postin e Ministrit të Brendshëm. Dhe a ka mënyrë më të mirë për t’ia kujtuar shqiptarëve këto, sesa duke ia lënë zyrën e Ministrit të Brendshëm bosh?
Në këtë situatë, çdo arsye që do të paraqesë nesër kreu i shtetit është vetëm një pretekst, vetëm një detaj fare i parëndësishëm, që nuk e mbulon dot faktin se vendimi i Metës ishte një zgjedhje së pari politike, sesa për ndonjë faj apo cen të Sandër Lleshit./Lapsi/