AKTUALITET, 28 Shtator 2021, 14:56

Vrasja e nënkomisarit, rrethohet një banesë ku mendohet se fshihet autori i dyshuar

Vrasja e nënkomisarit, rrethohet një banesë ku mendohet se

Forcat e rendit kanë identifikuar tashmë vendin ku fshihet autori i dyshuar i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha. Aldo Rama, 21-vjeçari i dyshuar për krimin, mendohet se ndodhet në një vilë, një banesë me ngjyrë të bardhë që ndodhet rreth 400 metra nga vendi ku u konsumua krimi, në zonën e Kune Vainit në Lezhë.

Zona përreth po monitorohet nga forcat speciale Renea, repartet e FNSH-së si dhe nga ajri me helikopterë. Nga pamjet duken të paktën dy efektivë të forcave speciale që ndodhen në çatinë e godinës në fjalë.

Ndërkohë, dalin detaje të reja mbi dinamikën që i mori jetën oficerit të policisë. Sipas burimeve, Hoxha ndodhej me 4 kolegë të tij kur ndaluan një mjet që rezultonte me targa të vjedhura. Ndalimi ishte pasojë e dyshimeve se në atë zonë të mbrojtur nga shteti për pasuritë natyrore, po kultivoheshin lëndë narkotike.