AKTUALITET, 9 Dhjetor 2020, 17:28

Vrasja e Klodian Rashës, protesta vazhdon tek Kryeministria

Reshjet e dendura të shiut, nuk e kanë ndalur protestën, pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv policie.

Pas përplasjes në Ministrinë e Brendshme, protestuesit janë vendosur përpara kryeministrisë.

Kujtojmë se një efektiv policie, një protestues dhe një gazetar, janë plagosur gjatë përplasjes përpara Ministrisë së Brendshme.

Nën thirrjet “Unë jam Klodiani” dhe “Duam drejtësi”, të rinjtë kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, madje dhe dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

“Sandër Lleshaj jep dorëheqjen”, dëgjohet të thuhet nga turma e mbledhur për të protestuar.

Protesta ka qenë e thirrur në rrjetet sociale, kryesisht nga të rinjtë dhe nuk ka patur organizim politik.

Ekzekutimi i Klodian Rashës nga një efektiv policie, pranë banesës së tij, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagimet të shumta.