AKTUALITET, 9 Dhjetor 2020, 17:09

Protesta përpara zyrës së Lleshajt, lëndohet një gazetar. Protestuesit e revoltuar thyejnë xhamat e ministrisë


Një gazetar ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë, tek Ministria e Brendshme.

Mësohet se Andi Llabuti, gazetar i JOQ, është gjakosur nga përplasja me policinë poshtë zyrës së Sandër Lleshajt.

Qindra qytetarë kanë dalë në protestë mbrëmjen e sotme, pasi një efektiv policie, vrau 25 vjeçarin Klodian Rasha, fare pranë banesës së tij.

Protestuesit e revoltuar, kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Sandër Lleshaj. Gjatë protestës ata kanë thyer edhe xhamat e ministrisë.

Protesta ka qenë e thirrur në rrjetet sociale, kryesisht nga të rinjtë dhe nuk ka patur organizim politik.

Ekzekutimi i Klodian Rashës nga një efektiv policie, pranë banesës së tij, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagimet të shumta.