AKTUALITET, 7 Prill 2018, 09:40

Vrasja e Devi Kasmit kalon te Krimet e Rënda, akuza e re që u shtohet autorëve

Vrasja e Devi Kasmit kalon te Krimet e Rënda, akuza e re që u shtohet

Gjykata e Tiranës ka shpallur ditën e djeshme moskompetencë, sa i përket çështjes së vrasjes së Devi Kasmit, duke e kaluar këtë të fundit të Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ditën e djeshme, Mario Meshini doli për rivlerësim mase para gjyqtares Ardiana Bera, por kjo e fundit e mbylli seancën për shkak të moskompetencës, shkruan “Panorama”.

Burimet thonë se ndaj të arrestuarve është shtuar edhe akuza e grupit të strukturuar kriminal dhe për këtë shkak dosja transferohet te Krimet e Rënda.

Deri më tani, si ekzekutor i Devi Kasmit, i cili u qëllua pranë banesës së tij, akuzohet ish-polici grek Efthymios Efthymio. Ndërsa kreu i grupit mendohet se është Aurel Hoxhallari, i cili ende nuk është arrestuar nga Policia.

Sipas dosjes, shtetasi grek Efthymios Efthymiou ka ndjekur për disa ditë Devi Kasmin. Ai mendohet se është ndihmuar edhe nga Mario Meshini, që gjendet në burg.

Ende nuk dihet motivi i vrasjes së Kasmit, por pista kryesore është e pazareve të drogës. Ditën e vrasjes, greku ka shkuar me motor pranë banesës së Kasmit dhe e ka qëlluar atë me pistoletë. Ai është larguar nga vendngjarja me shpejtësi.

Aty, në momentin e vrasjes, ka qenë edhe Mario Meshini. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar atentatorin me motor, që disa metra larg vendit të ngjarjes hipën në një furgon tip “Benz”.

Prokurorët kanë mundur të identifikojnë më pas edhe pronarin e tij, që është një shtetas nga Fushë- Kruja. Shtetasi nga Fushë-Kruja, që ka shitur furgonin te organizatorët e atentatit, ka thënë në Prokurori se ai është takuar me dy persona rreth moshës 25 vjeç, në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë.

Sipas tij, blerësi komunikonte me dikë tjetër në telefon për çmimin dhe në fund ranë dakord për ta kryer blerjen e furgonit kundrejt 4200 eurove. Nga dëshmia e pronarit të furgonit, rezulton se personi që ai ka takuar ka qenë Elton Halipaj, ndërsa paratë janë dhënë nga Malvin Dinellari. Këta të fundit kanë thënë në prokurori se punonin për Aurel Hoxhallarin dhe furgonin e kishin blerë për llogari të tij.

Policia më pas ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarit për pak ditë, deri sa i arrestoi. Gjatë dëshmive në Prokurori, të arrestuarit kanë thënë se shtetasi grek, Efthymios Efthymious kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte mik i Aurel Hoxhallarit. Ai është arrestuar gjatë aksionit policor, teksa tentonte të largohej nga banesa.

PANORAMA