AKTUALITET, 23 Gusht 2019, 11:47

Vranë punëtorin e kondicionerit, kush janë djemtë e ‘llastuar’ të Bujar Kusit, Griseldo me dy atentate, i përfshirë në trafikun e drogës në Londër (FOTO)

Nuk iu pëlqeu montimi i kondicionerit dhe për këtë e vranë. Është kjo arsyeja që solli vrasjen e 26-vjeçarit nga Mallakastra, Indrit Çelaj. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Çela punonte si punëtor në objektin e ndërtimit të pronarit Bujar Kusi. Ai punonte pranë vilës, ku kishte montuar edhe kondicionerin. Ditën e djeshme, rreth orës 11 e pak minuta, Indrit Çela ka patur një debat verbal me dy djemtë e Kusit, Griseldon 31 vjeç dhe Albanon, 28 vjeç. Shkak është bërë rrjedhja e ujit nga tubi i kondicionerit. Çela i ka kundërshtuar, dhe në këtë moment, njëri prej tyre ka nxjerrë armën, tip pistoletë dhe e ka qëlluar me plumb në kokë. Menjëherë pas e qëlluan, të dy vëllezërit i kanë bërë presion shokut të Indritit, Lorenc Veliajt për të marrë përsipër krimin. Gjatë marrjes në pyetje në Polici, Çaka ka bashkëpunuar dhe ka treguar versionin e tij të ngjarjes.

Por, kush janë të dy djemtë e Bujar Kusit?

Griseldo Kusi, 31 vjeç, ka një lidhje “nostalgjike”, me armët dhe muajin gusht. Në 5 gusht të 2011, ai tentoi të vriste Maksut Hysën, kur ishte vetëm 23 vjeç. Maksut Hysa, asokohe 54 vjeç, i shpëtoi 4 plumbave të lëshuara nga Griseldo për shkak të një sherri për ndërtimin e një prone.

Por jeta e rrugës, e lidh sërish Griseldon me një tjetër ngjarje të rëndë kriminale. 6 muaj pasi tentoi të vriste Maksutin, pa bërë as 3 muaj burg, 23-vjeçari ishte i lirë. Duke shijuar jetën në liri, ai tentoi të vriste sërish me 4 plumba Boiken Spahiun. Ngjarja ndodhi tek “Vasil Shanto”, dhe Spahiu iu doli të shpëtonte. Atentati, sipas burimeve të Dosja.al, ishte kryer për prishje të pazareve të drogës. Boiken Spahiu dhe Griseldo Kusi, ishin konfliktuar për një çështje të pambyllur droge në Angli.

Albano Kusi, 28 vjeç deri më tani nuk rezulton të jetë i skeduar nga Policia e Shtetit, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për babain e dy djemve, Bujarin. Njeriu që tentoi të fshihte krimin e dy djemve, është arrestuar në vitin 2014 për vjedhje të energjisë elektrike. Nga informacionet që Dosja.al ka siguruar në rrugë jozyrtare, mësohet se dy të rinjtë njihen për jetën e tyre të luksit dhe pasionin për makinat e shtrenjta në Tiranë.