AKTUALITET, 23 Gusht 2019, 11:12

Rikthehet Kategoria Superiore, Kukësi dhe Partizani ngrenë siparin

Rikthehet Kategoria Superiore, Kukësi dhe Partizani ngrenë siparin

Pas një pushimi disa mujor, Kategoria Superiore do të ngrejë siparin ditën e sotme me takimin mes Kukësit dhe Partizanit, takim ky që do të luhet të “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:00 dhe pritet që të jetë një takim emocionues. Pak ditë më parë, dy skuadrat luajtën për Superkupën dhe ajo ndeshje dhuroi plot 6 gola, ndërkohë që spektakli pritet edhe sot.

Prag-kampionati ka qenë i mbushur me jo pak dilema dhe polemika që lidheshin me licencimet dhe problemet e shumta financiare që shumica e klubeve kishin, por duket se gjithçka është sheshuar dhe tashmë skuadrat janë gati për të zbritur në fushën e blertë. Me një format ndryshe këtë sezon, asnjë nga ekipet nuk do të jetë i qetë pasi përveç dy skuadrave që bien automatikisht, vendi i tetë do të luajë në “Play Out”.

Kukësi, Partizani, Teuta, Tirana e Laçi kanë qenë skuadrat më aktive në këtë merkato vere dhe shihen si ekipet që mund të rivalizojnë për titull deri në fund, ndërkohë që skepticizëm ka për sa i përket Flamurtarit, Vllaznisë e Luftëtarit që merkaton e kanë përqendruar te tregu i huaj dhe të rinjtë me përjashtim të vlonjatëve, që kanë afruar disa ish-futbollistë të Vllaznisë. Sakaq, në Korçë kanë besim se me Ilir Dajën dhe grupin që kishin sezonin e shkuar e afrimet e reja, mund të bëjnë një sezon të mirë.