AKTUALITET, 3 Prill 2019, 20:47

Votoi sot pro qeverisë, Aurora Mara: Përfaqësoj opozitën e re jo LSI-në, e respektoj Monikën dhe Metën

Votoi sot pro qeverisë, Aurora Mara: Përfaqësoj opozitën e

Deputetja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Aurora Mara, ka treguar arsyet se përse vendosi ta pranonte marrjen e mandatit pas vakancave të krijuara në Parlament pas djegies së mandateve nga opozita.

Mara ka dalë nga lista shumëemërore e qarkut të Dibrës në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe e pyetur se përse vendosi të pranojë mandatin dhe të dalë kundër vendimit politik të partisë së saj, ajo tha: “Vendosa të përfaqësoj popullin e Matit i cili më ka votuar. Respektoj Monikën dhe presidentin por pranova mandatin dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, u shpreh deputetja Mara gjatë një interviste në INtv.

Ndërkohë që, në lidhje me qëndrimin e saj në Kuvendin e Shqipërisë, Mara deklaroi se, ajo sot përfaqëson 'opozitën e re' në kuvend e jo LSI-në dhe se “do të kontribuoj për kryerjen e reformave të rëndësishme që do t’i hapin rrugën Shqipërisë drejt Integrimit evropian”.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Mara ishte e vetmja deputete në radhët e opozitës së re në Kuvend e cila votoi pro shtyrjes së afatit me një muaj të krijimit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, kësisoj duke dalë edhe kundër qëndrimit të grupit të ri opozitar.