AKTUALITET, 28 Mars 2019, 14:21

Votimi në PE pro liberalizimit të vizave, Haradinaj: Kosova i ka plotësuar kushtet

Votimi në PE pro liberalizimit të vizave, Haradinaj: Kosova i ka

Sot, Parlamenti Europian ka votuar për herë të dytë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës me zonën Shengen. 331 deputetë kanë votuar në favor të raportit të Tanja Fajon që kërkon liberalizimin e vizave, ndërkohë që 126 deputetë të tjerë janë shprehur kundër.

Pas këtij votimi në Parlamentin Europian ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili shprehet se sot u rikonfirmua edhe një herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet.

“Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar.

Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.

Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avancimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, shkruan Haradinaj në Facebook.