TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Eduard Kuçit nga Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë.
Këngëtari dyshohet për pesë vepra penale, ndërsa është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime në lidhje me rastin.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/ Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit Jozefin Marku, 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin Eduard Kuçi, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.