AKTUALITET, 5 September 2026, 11:03

EMRAT/ Të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme, arrestohen tre persona në Durrës

Tre persona janë vënë në prangat e Policisë së Durrësit, të dyshuar për shkaktimin e zjarreve në mënyrë të qëllimshme.

Sipas njoftimit të Policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Shaban Domi, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se zjarri i rënë në një tokë bujqësore në fshatin Ishëm është shkaktuar nga Ilir Rika, së bashku me Reshit Jaheshin. Të dy, sipas Policisë, ishin duke prerë tuba me gur fresibël dhe, si pasojë e shkëndijave, ka rënë zjarr.

Për këtë ngjarje, ata akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërkohë, është arrestuar edhe 44-vjeçari Shaban Domi, i cili akuzohet për vendosjen e zjarrit në fshatin Rreth, në Shijak.

Si pasojë e flakëve në këtë zonë, janë djegur telat e rrjetit elektrik, si dhe sipërfaqe me bimësi.

NJOFTIMI I POLICISË:

"Durrës/Zbardhen dy raste zjarrvënieje, arrestohen 3 persona të dyshuar si autorë.

Dy persona arrestohen pasi shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa një tjetër arrestohet për zjarrvënien në fshatin Rreth, Shijak. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.

Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.

Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku, si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi. Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos kryejnë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda për jetën dhe pronën e qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetjet bujqësore apo pastrojnë territorin nëpërmjet djegies, që të mos kryejnë veprime të tilla, pasi do të përballen me përgjegjësi ligjore. Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm."