TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vdekja e 62-vjeçarit Urim Fiku, më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, vijon të mbetet mister, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë marrë një drejtim të ri.
Nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku, dolën një ditë më parë para Gjykatës së Dibrës, ku nuk pranuan autorësinë e krimit. Ata deklaruan se Urimi ishte sulmuar nga një kafshë e egër dhe se, në kushtet e tronditjes së rëndë, kishte qëlluar veten me pistoletë në oborrin e banesës.
Megjithatë, ky version nuk e ka bindur gjykatën, e cila vendosi t’i lërë në arrest me burg nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fikun, të cilët deri më tani janë të vetmit persona të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë, mësohet se hetuesit janë rikthyer në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer kontrolle të tjera në zonë. Në një distancë prej 500-600 metrash nga banesa janë gjetur disa gëzhoja të tjera, të cilat dyshohet se i përkasin së njëjtës armë zjarri që u gjet në oborrin e banesës ditën e ngjarjes.
Ky zbulim ka orientuar hetimet drejt një piste tjetër, sipas së cilës 62-vjeçari mund të jetë ndjekur nga larg dhe ndaj tij mund të jenë qëlluar disa herë me armë zjarri, ndërsa plumbin fatal dyshohet se e ka marrë në oborrin e banesës.
Gëzhojat e gjetura së fundmi janë dërguar pranë Policisë Shkencore në Tiranë, e cila do të përcaktojë nëse ato i përkasin së njëjtës armë zjarri, një pistolete tip TT.
Ndërkohë, dëshmitë e dhëna nga nënë e bir kanë qenë të ndryshme. Fillimisht, ata kanë deklaruar se Urimi ishte përleshur me një kafshë të egër (ari), si pasojë e së cilës kishte humbur jetën. Më pas, versioni i tyre ka ndryshuar, duke pretenduar se 62-vjeçari kishte mbërritur pranë banesës i dëmtuar nga kafsha e egër dhe se, në kushtet e tronditjes, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten.
Po ashtu, mësohet se djali i Urimit, Gazmir Fiku, kishte deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Bulqizë, në zyrën e tij, ku punon si përgjegjës i një sektori në OSHEE.