AKTUALITET, 7 November 2026, 10:00

Mjegulla e dendur mbulon Kukësin dhe Rrugën e Kombit, vështirësohet qarkullimi në segmentin Pobreg-Kolsh

Mjegulla e dendur mbulon Kukësin dhe Rrugën e Kombit,

Mjegulla e dendur ka përfshirë që në orët e para të mëngjesit qytetin e Kukësit dhe zonat përreth, duke shkaktuar ulje të ndjeshme të fushëpamjes dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Fenomeni është shfaqur fillimisht në zonat e ulëta dhe në lugina, për t'u shtrirë më pas në të gjithë territorin e qytetit dhe në njësitë administrative përreth.

Situata paraqitet problematike edhe në Rrugën e Kombit, ku mjegulla është më e dendur në segmentin Pobreg-Kolsh, duke rritur rrezikun për drejtuesit e automjeteve.

Në këto kushte, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të përdorin ndriçimin e përshtatshëm, me qëllim shmangien e aksidenteve të mundshme.

Mjegulla konsiderohet një fenomen i zakonshëm për zonën e Kukësit gjatë stinës së vjeshtës, veçanërisht në orët e para të mëngjesit. Megjithatë, prania e saj në akset rrugore mbetet një faktor që kërkon vëmendje dhe kujdes maksimal nga të gjithë përdoruesit e rrugës.