AKTUALITET, 7 Shkurt 2019, 18:03

Vasili: Pazari i Ramës me kufijtë, rrezik i madh për Ballkanin

Vasili: Pazari i Ramës me kufijtë, rrezik i madh për Ballkanin

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se kryeministri Edi Rama po rrezikon me pazare politike ‘integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor’.

Vasili, tha se përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje pafund në të shkuar dhe në këtë lojë rrezikohet edhe stabiliteti i Shqipërisë, Kosovës dhe vetë rajonit. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, theksoi se me këtë veprime fundi i mazhorancës është afër.

Pjesë nga fjala e Petrit Vasilit

Në seancën e sotme në jo pak raste, u citua gjerësisht ministri gjerman Rot lidhur me deklarimet e tij më të fundit. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje është se përse nuk u citua një nga deklaratat e tij shumë të rëndësishme të bëra në Deutsche Ëelle, ku ai shprehimisht thotë: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh, ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të shkuarën. Prandaj sipas meje, vazhdon ai, këto përsiatje janë tejet të rrezikshme.”

Momenti më interesant, por edhe më kritik është: “Nga Shqipëria ne presim që kjo të përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik, e të angazhohet për stabilitet në të gjithë rajonin. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të Ballkanit Perëndimor, që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.”

Kjo ftesë është një ftesë e pazakontë, e padëgjuar për politikën shqiptare, e cila ka akumuluar në vite një të mirë të vyer, të ishte konstruktive, faktor i stabilitetit të pazëvendësueshëm në rajon, dhe sigurisht e orientuar qartë në këtë drejtim. Për herë të parë kemi një ftesë, që ajo të bëjë një detyrë, të cilën e ka pasur të natyrshme dhe të gjithë ne në këtë sallë pyesim:

Pse i mungon këtij misioni tashmë tradicional, i cili në konsolidimin e tij ka kaluar nga një mazhorancë në tjetrën në mënyrë pozitive? Për një çështje kaq delikate, çfarë e ka gjetur Kryeministrin, i cili dihet që është një folës i palodhur për gjërat nga më banalet, më të panevojshmet që e ka qepur gojën? Ç’pazare e kanë imponuar këtë heshtje? Cili është ai premtim i errët, i marrë diku larg, jo në perëndim, asnjëherë, që e bën të heshtë? Pse zëvendësohen propozimet, draftet, projektet nga qenia mbi tavolinë, vazhdojnë të rrinë nën tavolinë? Pse bisedat e hapura publike, deklarimet e qarta publike zëvendësohen me takime minjsh fajtorë, peng të kushedi se çfarë gjërash të tjera, në vend të një politike të qartë?

Përderisa në lojë është stabiliteti i Shqipërisë, i Kosovës dhe i rajonit, ministër de jure me tjetër ministër de facto, zgjidhje e tij, përgjegjësitë kushtetuese mbeten atje dhe i kërkohen atij, cili është ai problem shumë i madh, ai angazhim i marrë lart, poshtë, veri, jug, lindje edhe perëndim po të doni, që e bën të mos flasë dhe të heshtë?

Ky moment është një moment shumë i rëndë për qeverisjen e vendit, që ajo i mungon detyrës së saj. I mungon dhe arritjes së saj historike, të arritur të gjithë së bashku. Madje nuk duhen veçuar merita të asnjë krahu politik, por sot është këtu qeverisja përpara një faji të madh, që i mungon misionit dhe ministri i një shteti të madh, e thërret sërish për të qenë i qartë. Pse pengohet dhe çfarë problemi ka Shqipëria dhe Kryeministri të jetë shumë i qartë?

Ja se ç’thotë Kancelarja Merkel shumë qartë për Shqipërinë dhe Kosovën në takimin që ajo kishte me kryeministrin e Bosnjes: “Çështja e parë është pasqyrimi territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një çështje e shenjtë dhe këtu duhet të përsërisim gjithëherët, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet ardhmëria evropiane e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Po si mundet që Kancelarja Merkel është e kristaltë, ministri Rot gjithashtu. Shqipëria që është më e interesuara hesht. Ka zakon që Kryeministri jep konsiderata për BE-në,për të ardhmen e BE-së, idenë që nuk drejtohet mirë BE-ja. I ka të qarta të gjitha, por këtij problemit që kemi këtu, pse i mungon kësaj? Por kjo mungesë koherence nuk është e rastësishme, kushdo e kupton që është tërësisht e qartë, e qëllimshme në funksion të një strategjie të dhomave të errëta që mblidhen dhe ku duart gjithmonë mbahen poshtë tavolinës, e cila imponon edhe një axhendë integrimi që nuk ecën përpara, sepse sigurisht të tymra ato momente të rëndësishme, qoftë momenti i madh në stabilitetin e administratës publike, i kërkuar si një kusht i jashtëzakonshëm për ecjen e negociatave, tashmë është një rrënim i plotë.