AKTUALITET, 28 Shtator 2021, 22:21

“Unë nuk jam për kontroll”/ Zbardhet momenti i ekzekutimit të policit në Lezhë

“Unë nuk jam për kontroll”/ Zbardhet momenti i ekzekutimit

Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje nga momenti kur u vra oficeri Saimir Hoxha. E ftuar në "Open", Anila Hoxha tha se, Saimir Hoxha bashkë me dy kolegët e tij kishin shkuar për të asgjesuar kanabis në Kune Vain të Lezhës dhe aty janë përballur me makinën me tre të rinjtë, brenda të cilës ndodhej edhe Aldi Rama.

Hoxha tregoi se, dy shokët e Ramës u bindën dhe treguan dokumentacionin përballë efektivëve, kurse 21-vjeçari nxorri armën, tha "unë nuk jam për kontroll" dhe qëlloi për vdekje Saimir Hoxhën.

“U lajmëruan një ditë ditë më parë për një parcelë me kanabis. Kanë qenë të paveshur nga uniformat e policisë, por me jelekun që lexon ‘Policia’. Në kthim, mjeti i bardhë i kriminalistikës ndeshet me një automjet tjetër ku ishin tre persona.

Thuhet se, kjo dëshmi konfirmohet nga shokët e vrasësit. Ata janë arrestuar për moskallëzim krimi, pasi sipas policisë akuzohen se nuk kanë njoftuar policinë se shoku i tyre mbante armë. Automjeti bëri një manovër dhe kthehet. Këtu efektivët kërkojnë që mjeti të ndalojë.

Palushi, Shefi i Krimeve i kërkon Armando Markut që të dalë nga makina dhe ai del, nxjerr dokumentacionin e nevojshëm. I treti, vrasësi nuk del. Saimir Hoxha drejtohet tek personi i tretë dhe i kërkon të zbresë. Fjalia e Aldi Ramës ishte vetëm kjo: Unë nuk jam për kontroll! Nxjerr armën dhe qëllon për vdekje Hoxhën,”- tha Anila Hoxha.