AKTUALITET, 25 Mars 2019, 14:34

Tregu maqedonas lë stok prodhimin vendas, fermerët: Po i hedhim

Tregu maqedonas lë stok prodhimin vendas, fermerët: Po i hedhim

Fermerët e Bulqizës po përballen me mungesën e tregut të shitjes për prodhimet e tyre. Edhe pse vitin që shkoi ka pasur prodhime të bollshme, këto të fundit tashmë kanë mbetur stok si pasojë dhe e konkurencës së tregut maqedonas.

Një ndër fermerët e zhgënjyer nga puna në fshat është Xhavit Muka nga fshati Çerenec i Sipërm. Ai thotë se është kthyer nga emigrimi në Itali dhe ka krijuar plantacione të mëdha me mollë, arra e qershi. Por edhe pse ka pasur superprodhim, ai është përballur me mungesë tregu, pasi sipas tij prodhimi maqedonas hyn me çmim më të lirë.

Duke parë se çdo vit prodhimet e tij po kalben e nuk po shiten, Xhavit Muka thotë se do të rikthehet bashkë me familjen në itali.

Një tjetër fermer i zhgënjyer është Roland Miftari i cili thotë se ka punuar për mbledhjen e gjithë prodhimit, e tani po punon për hedhjen e tij në lumë, pasi nuk ka patur treg shitje.

Shkak për hedhjen e prodhimeve vec mungesës së tregut të shitjes i cili konkurohet nga prodhimi maqedonas është bërë dhe mungesa e dhomave frigoriferike në zonën e Bulqizës.