AKTUALITET, 25 Mars 2019, 13:48

LAJMI I FUNDIT/ Vrasja e biznesmenit, arrestohen tre persona, shpallet në kërkim autori i krimit

LAJMI I FUNDIT/ Vrasja e biznesmenit, arrestohen tre persona, shpallet në

Policia e Shkodrës ka arrestuar tre persona, si bashkëpunëtorët kryesorë të autorit të dyshuar të vrasjes së Nard Polisë, ndërsa u shpall në kërkim autori i dyshuar.

Gjatë paradites së sotme, pas një pune të mirë organizuar nga ana e D.V.P. Shkodër, në bashkëpunim me forcat Operacionale të D.P.P. Shtetit Tiranë, dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë finalizimi i operacionit “Step By Step” në lidhje me vrasjen e shtetasit N. P., ndodhur më datë 20.03.2019.

Në këtë kuadër u bë ndalimi i shtetasve:

- G. T., 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Bashkia Shkodër.

- K. T., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.

- A. M., 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. S., 27 vjeç dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij.

Pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur dyshohen se drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.

Pas një pune intensive, ndjekjeje me metodat speciale të hetimit, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje.

Gjatë veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i automjetit i cili është përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorrit dhe largimin bashkë me ekzekutorin.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumenta të ndryshme.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe mbi motivin e kësaj ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtës pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78-25 e 278 të Kodit Penal.