SPORT, 22 Shtator 2017, 20:16

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja: Fitorja ndaj Partizanit vlen 6 pikë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja: Fitorja ndaj Partizanit vlen 6 pikë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja ka folur në konferencën për shtyp para takimit kundër Partizanit, i cili do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin e qytetit të Korçës.

Numri 1 i stolit të bardhekuqve theksoi se skuadra e tij do të kërkojë vetëm tri pikët kundër kryeqytetasve.

Dy mungesat e konfirmuara nga trajneri Daja për ndeshjen ndaj Partizanit, janë ato të Osmanit dhe Jashanicës.

“Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda, sepse luajmë ndaj një rivali direkt për titullin kampion.

Por, ne duam vetëm fitoren në këtë përballje. Fitorja e mundshme ndaj Partizanit nuk vlen thjesht tri pikë, por dyfish, sepse normalisht do të ishin edhe tri pikë të munguara për kundërshtarin në renditje.

Duhet të djersijmë shumë dhe të përqendrohemi çdo sekondë të ndeshjes. Nuk duhet të mendojmë aspak nisjen e dobët që i ka bërë Partizani këtij sezoni.

Partizani ka lojtarë me eksperiencë dhe mund të të godasin në një moment që nuk je i përqendruar, ashtu siç ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në përballjet tona direkte me të kuqtë.

Gjithsesi, mendoj se nuk ka lidhje periudha 2-vjeçare që Skënderbeu nuk ka fituar ndaj Partizanit.

Në dy ndeshje që unë kam drejtuar Skënderbeun ndaj Partizanit, kemi luajtur më mirë se kundërshtari, por jemi goditur pikërisht nga shpërqendrimi.

Sowe? Sulmuesi matet me gola dhe asis. Ai e ka bërë mirë punën e tij deri tani, edhe pse nuk ka shënuar. Kundër Flamurtarit fitoi penalltinë dhe dha asis për golin e dytë.

Shpresojmë që nesër ndaj Partizanit të jetë në ditën e tij më të mirë dhe t’i buzëqeshë fati për të shënuar.

Mungesat e vetme për ndeshjen ndaj Partizanit janë: Osmani që dihet tashmë dhe Jashanica, i cili dje nisi stërvitjen i diferencuar dhe nuk do të jetë gati për takimin e nesërm.

Pjesa tjetër e skuadrës është e tëra në dispozicion”, tha trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në konferencën për shtyp.