AKTUALITET, 27 August 2026, 14:15

Tragjedia në Nepal, të paktën 332 viktima, qindra persona rezultojnë të zhdukur

Ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet për gjetjen e të mbijetuarve pas përmbytjeve të fuqishme që goditën zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit. Uji shkatërroi banesa, mbuloi rrugë dhe shembi ura.

Në Nepal, bilanci ka arritur në të paktën 332 viktima, ndërsa më shumë se 900 persona rezultojnë të zhdukur.

Mes familjeve që presin informacione janë edhe dy motra, prindërit e të cilave kishin udhëtuar nga Teksasi drejt Tibetit për një pelegrinazh. Ato kanë treguar për BBC-në se po presin me ankth kthimin e prindërve të tyre në shtëpi.

Situata është e rëndë edhe në Tibet, ku raportohen të paktën 558 persona të zhdukur dhe tre viktima të konfirmuara. Ende nuk është e qartë nëse të dhënat nga Tibeti dhe Nepali përfshijnë disa prej të njëjtëve persona.

Mes të zhdukurve në të dyja anët e kufirit ka edhe qindra shtetas të huaj. Sipas autoriteteve nepaleze, mes tyre janë 178 turistë nga India, 127 nga Nepali, 65 shtetas amerikanë dhe 33 britanikë. Gjithashtu, nuk ka ende informacion për fatin e dhjetëra pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) ka bërë të ditur se përmbytjet u shkaktuan nga shembja e një mase akullnajore dhe rrjedhja e materialeve të grumbulluara. Autoritetet druhen se mund të ketë përmbytje të tjera, pasi mbetjet kanë krijuar bllokime në lumenj dhe mund të pengojnë rrjedhën normale të ujit.