TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një lutje e Nënë Terezës për gjyqtarët, një portret i realizuar në një institucion të vuajtjes së dënimit dhe një fjali për shpresën pas ndëshkimit. Postimi i djeshëm i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duket se mbart më shumë se një urim për ditëlindjen e Shenjtores shqiptare.
“Jepu atyre veshë për ta ndjerë të vërtetën e ndershme” dhe “jepu mendjeve të tyre diturinë e duhur”, thuhet në lutjen e publikuar. Ajo kërkon për gjyqtarët forcë për të dënuar mizorinë dhe padrejtësinë, por edhe mëshirë për të mos i zhytur në dëshpërim njerëzit që dënojnë.
Koha e publikimit vështirë se kalon pa tërhequr vëmendje. Sistemi i drejtësisë ndodhet nën presionin e pritshmërive për rezultate, ndërsa debati për ashpërsinë e masave të sigurisë, kohëzgjatjen e paraburgimit dhe rehabilitimin e të dënuarve është bërë gjithnjë e më i pranishëm.
Edhe portreti që shoqëron lutjen ka historinë e vet. Ai është realizuar nga një i mitur që, gjatë qëndrimit në IEVP Kavajë, gjeti te piktura një mundësi për të shprehur talentin. Pas përfitimit nga Amnistia Penale, i riu ka nisur një kapitull të ri jashtë institucionit.
“Drejtësia kërkon të vërtetën. Përcakton përgjegjësinë. Por duhet të lërë hapësirë edhe për shpresën”, shkruan Gogu.
Ishte thjesht një reflektim për Nënë Terezën apo një mënyrë e tërthortë për të hapur debatin mbi fytyrën njerëzore të drejtësisë? Ministri nuk përmend asnjë çështje dhe asnjë vendim konkret. Por, në një sistem ku diskutimi publik dominohet nga pyetja se kush duhet dënuar, ai ka zgjedhur të ngrejë një pyetje tjetër: çfarë duhet të ndodhë me njeriun pasi është dënuar?