LIFESTYLE, 27 Mars 2019, 10:25

Thyhet rekordi Guinness në Dubai, prodhohet parfumi më i shtrenjtë në gjithë botën/ FOTO

Dubai ka arritur sërish që të thyejë rekordin e vendosur Guinnes duke prodhuar parfumin më të shtrenjtë në botë, i cili kushton 1.295.000 dollarë ose 1 miliard e 400 milionë lekë.

“Shumukh” quhet parfumi, që përkthehet “që meriton më të lartën, më madhështoren” dhe është pjesë e linjës së parfumeve “The spirit of Dubai” nga marka luksoze “Nabeel”.

Shishja e parfumit peshon 3 litra, është produkti i tre viteve studim dhe 494 provave dhe shishja e tij është kristal, e gdhendur me skifter prej ari, kuaj arabë, trëndafila dhe një glob i përbërë nga 3.571 diamante, pra gjithsej është 38.55 karat, ku nuk mungojnë edhe perlat.

Ky parfum është një miks mes aromës së drurit të sandalit, myshkut, trëndafilit dhe patchouli-t, një bimë e ngjashme me menten.

Atë mund ta përdorin si meshkujt dhe femrat. Kujtojmë se Emiratet e Bashkuara kanë thyer dy rekorde Guinness, për shishen më të madhe dhe për parfumin më të shtrenjtë në botë.